“Takimi me shënjestrën ka qenë rastësor”/ Mbeti i vrarë në Shkodër, flet miku i të ndjerit Armando Pali: Po pinte kafe, ishte njeri i qetë

10/09/2025 07:24

Miku i Armando Palit, i cili mbeti i vrarë një ditë më parë në masakrën e Shkodrës, ka rrëfyer në “Shqipëria Live” disa detaje.

Ai deklaroi se viktima dhe shënjestra e vrasjes njiheshin me njëri-tjetrin, teksa takimi në kafe ka qenë rastësor.

Miku i të ndjerit u shpreh se ai vinte nga një familje shumë e mirë dhe njihej si një njeri i qetë.

“Nuk takoheshin shpesh, por në momentet që janë takuar janë përshëndetur, por vetëm kaq. Armando ka shkuar të pijë kafe në një vend të qetë përballë bashkisë.

Takimi me shënjestrën ka qenë rastësor, por normalisht që janë të njohur, një kafe mund ta pish.

Armando Pali është një njeri i qetë, familje shumë e mirë, me familje të qetë, një njeri shumë i mirë, me edukatë, e kulturë qytetare, nuk e ka merituar të shkojë kështu. Kjo është situata në Shkodër, del në mëngjes dhe nuk dihet nëse kthehesh në darkë, kjo është situata në Shkodër.

Kjo nuk ka lidhje me Armandon, u vra një i pafajshëm. Me shënjestrën nuk kam njohje, e kam parë në media, ka qenë në këshillin e bashkisë. Besoj se familja e ka marrë vesh lajmin nëpërmjet mediave, ose shoqërisë së tyre.

Ata kanë dhembshuri të madhe të humbjes së djalit të tyre, një familje në nivele të tilla nuk besoj se marrin veprime të gabuara. Nëna po e përjeton shumë keq, përfshirë edhe vëllain dhe familjarët. Armando ka një vajzë ka qenë i divorcuar. Uroj që në Shkodër të rikthehet qetësia”, ka deklaruar ai.

Top Channel