Gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka, ka caktuar seancën e parë paraprake ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha mëson se seanca e parë paraprake do të mbahet në 25 shtator.

Irena Gjoka është gjyqtarja e cila do të ketë në dorë fatin e 130 fashikujve me të akuzuar Ilir Metën, që si gjyqtare paraprake e zgjedhur duhet të vendosë në vijim nëse janë apo jo të plota hetimet ndaj ish presidentit.

Gjyqtarja antikorrupsion, u vendos nga rastësia e shortit elektronik midis 10 gjyqtarëve, ku i vetmi që u përjashtua nga procedura rastësore ishte Erjon Cela, i cili një vit më parë shpalli arrest në burg ndaj Metës.

Gjetja e gjyqtares paraprake u vulos në krye të një jave nga koha kur SPAK dorëzoi dosjen në gjykatë me Ilir Metën nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, Monika kryemadhin, Pirro Xhixhon , Ema Cokun dhe Fatime Kryemadhin.

Ndërkohë Ilir Meta ka hapur edhe dy llogari të tjera me drejtësinë, njëra në Apel ku kërkon lirinë dhe tjetra në Kushtetuese ku insiston se mënyra si u arrestua është antikushtetues.

Për çështjen në themel Ilir Meta, i dyshuar për dosjen “CEZ Dian”, lobimin dhe fshehjen e pasurisë, nuk paraqiti asnjë memo gjatë ditëve që SPAK i la në dispozicion. Kjo do të thotë se lëvizjet e tij mbrojtëse do jenë në sallën e gjykatës, përballë gjyqtares paraprake, një emër i njohur edhe për politikanë të tjerë sikurse për Sali Berishën, ndaj të cilit aprovoi masë sigurie.

 

Top Channel