Ndërtoi 8 objekte pa leje dhe pishinë brenda rrethimit të banesës, arrestohet me urdhër të Prokurorisë së Kukësit një person

10/09/2025 09:15

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës, është arrestuar Ramë Gjomakaj, i dyshuar për ndërtim të paligjshëm në territorin e fshatit Llugjaj të Tropojës.

Sipas hetimeve të nisura mbi procedimin penal nr. 509, datë 08.09.2025, dhe pas referimeve të Policisë së Shtetit, në pronën e tij janë konstatuar tetë objekte dhe një pishinë në ndërtim e sipër, të gjitha brenda rrethimit të banesës.

Objektet kanë përmasa 10×6 metra, janë ndërtuar mbi kolona betoni, të rrethuara me mur tulle ngjyrë të kuqe dhe të mbuluara me soletë. Përreth tyre janë gjetur edhe materiale ndërtimi si zhavorr dhe tulla.

Shtetasi R.Gj. është në hetim për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’, parashikuar në nenin 199/a, paragrafi 4, të Kodit Penal, ndërsa veprimet hetimore vijojnë.

Top Channel