
Kompania amerikane Chevron ka paraqitur një ofertë për të marrë pjesë në tenderin ndërkombëtar të zhvilluar nga Greqia për të drejtën e kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në katër blloqe detare në jug të Kretës dhe Peloponezit.
Ky zhvillim konsiderohet me rëndësi të veçantë pasi, përveç dimensionit energjetik dhe ekonomik, siç theksojnë qarqet politike greke, përforcon në praktikë të drejtat sovrane të Greqisë në një zonë të kontestuar nga Turqia, duke zbehur kështu efektet e memorandumiturko-libian dhe narrativën e “Atdheut Blu”.
Në një deklaratë pas përfundimit të procesit të tenderimit, ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavrou, e cilësoi këtë hap si një moment shprese dhe perspektive për vendin.
“Sot, konsorciumi Chevron dhe Helleniq Energy shpalli pjesëmarrjen e tij në këtë garë ndërkombëtare. Kështu hapet një kapitull i ri për shfrytëzimin e pasurisë energjetike nënujore të atdheut tonë. Greqia, me besim kombëtar, po vendos themele të forta për vetë-mjaftueshmërinë energjetike dhe po shfrytëzon pozitën e saj gjeopolitike në Mesdheun Lindor,” – u shpreh ministri.
Ai shtoi se qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis po përmbush detyrimet e saj ndaj brezave të ardhshëm, duke e bërë Greqinë më të sigurt energjetikisht, më tërheqëse për investitorët dhe më të fuqishme gjeopolitikisht.
Pjesëmarrja e Chevron-it vlerësohet si një sinjal i qartë për interesin ndërkombëtar ndaj burimeve energjetike greke dhe një hap drejt shndërrimit të vendit në një nyje strategjike energjetike në rajon-theksojnë mediat greke.
Top Channel