Kardiologu tregon si i shpëtoi jetën pacientit në avionin e linjës Tiranë-Londër: Komunikova vazhdimisht me pilotët, gjendja ishte jo e mirë

10/09/2025 09:38

Kardiologu Kristo Papa, që arriti të stabilizonte gjendjen e një pasagjeri që pësoi shenja serioze shqetësimi shëndetësor në avionin e linjës Tiranë-Londër, tregoi incidentin në një intervistë për “Wake Up”.

Pasagjeri filloi të shfaqte simptoma të rënda, mes tyre lipotimi, marrje mendsh, të vjella, diarre, dhimbje abdominale, dobësi të përgjithshme dhe dhimbje koke. Situata krijoi tension dhe shqetësim mes udhëtarëve, por reagimi i menjëhershëm i Dr. Kristo Papës shmangu përkeqësimin.

Ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, u konsultova me stafin, i masja parametrat. I dhashë dy ilaçe, u stabilizuar, për tre orë ishim në komunikim të vazhdueshëm me pilotët. Informuam Londrën, dhanë gatishmërinë e tyre. Ishte me bashkëshorten që më dha disa informacione për gjendjen e mëparshme të bashkëshortit”, u shpreh ai.

Ai tregoi se linjat e fluturimit kanë protokollin e emergjencës, që aktivizohet në raste të tilla.

Kanë kitin e emergjencës dhe protokollin që aktivizuan. Pilotët u bënë gati të bëjnë ulje emergjente. Kishin medikamente dhe ndoqën të gjithë procedurën e emergjencës, stafi është i përgatitur, një mjek është një ndihmë e madhe. Pasagjerët e mirëkuptuan situatën, shumë prej tyre më pyetën nëse kisha nevoje për ndihmë”, tha Papa.

Duke folu për shëndetin e pacientit, kardiologu tha se ‘nuk duhet të ndërmerrte këtë fluturim”.

“Pacienti ishte takikardik, kishte të gjitha shenjat që të mos udhëtonte. Kur një pacient nuk ndihet mirë, ndërhyrja duhet bërë me kujdes, nuk është një ambient i zakonshëm spitalor, je në ajër. Ti duhet të jesh një lider që udhëheq stafin. Ruajta kontaktet, për 48 orë nuk ishte mirë, kishte temperaturë, e stabilizuan në spital”.

Ndërkohë, mjeku ngriti alarmin për rastet e arrestit kardiak te të rinjtë.

Kemi shumë të rinj që vijnë me atak kardiak, edhe 16 vjeç. Sidomos nga përdorimi i lëndëve narkotike. Kishim një 15-vjeçar që përdorimi i kokainës kishte shkaktuar një atak kardiak me probleme të ndryshme”, tha ai.

Top Channel