Inside Story/ Grabitja e fajdexhiut, Nuredin Dumani: I gjuajta me pistoletë në gjoks, por u ngrit dhe u përlesh me mua

10/09/2025 22:04

Sulmi i radhës po përgatitej në Elbasan. Këtë radhë përballë kishin një person të fortë fizikisht, me përgatitje ushtarake…..Në shënjestër ishte Xhemail Liçi, doganier me profil të dyfishtë, kambist ilegal dhe fajdexhi.

Sipas informacioneve të Gent Sharrës, ai mbante para’ me vete. Në banesë mund të kishte deri në 500 mijë euro.

“Këto subjekte shfaqin një agresivitet, një rrezikshmëri shumë më të madhe, edhe për komunitetin , por kodi penal, në nenin 50 në rretha rënduese, po ashtu edhe veprat penale specifike, parashikojnë rrethanat rënduese ose cilësuar kur vepra penale kryhet për më shumë se një herë’ u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog.

“Është e vështirë të përcaktohet një balancë midis përfitimeve që ka organi procedues edhe përfitimeve që ka dëshmitari i privilegjuar. Gjithsesi është fakt që deklarimet e dhëna nga bashkëpuntorët e drejtësisë janë mjaft të rëndësishme për zbardhjen e shumë ngjarjeve të rënda, të cilat ndoshta nuk do të zbardheshin kurrë.” u shpreh Ermira Tafani, pedagog. Në një takim në Durrës, Talo Çela i kërkon Dumanit të përfshijë dikë nga komuniteti rom, për të krijuar gjurmë të rreme. Dumani zgjedh Dorjan Shkozën, një mik të vjetër që sipas tij në atë kohë ishte në vështirësi ekonomike. Dorjani siguron një veturë në Shijak për 800 euro. Makina dërgohet në banesën e Talo Çelës në Elbasan, ku i vendosen xhama të zinj.
Mëngjesin e 12 dhjetorit 2013, Dumani, Dorian Shkoza dhe Talo Çela dolën nga shtëpia e këtij të fundit. Aty i priste dhe Ardian Çollaku, pjesëtar i grupit. Sinjali që ata prisnin ishte thirrja e parë e hoxhës nga minareja e xhamisë…Kohë që përkonte me rutinën e objektivit që Talo e kishte studiuar mirë…

“Në rastin e fundit dhe i vazhdon hetimet, kuptohet dëshmia e një të penduari nuk është 100% një cështje penale, por ajo shërben si indicie për tu thelluar, dhe patjetër duhet të shoqërohet me prova.”u shpreh Ermira Tafani, pedagoge.

“Për krimet e kryera, por po ashtu mendohet që frika është në nivelet më të ulta, dhe në vend që të përbëjë barrierën kryesore që do ta pengojë individin të kryejë krime të rënda, ndonjëherë duke qeenë në doza kaq të ulta, shërben për të rritur performacën brënda botës së krimit.” u shpreh Almeida Xhaferi, psikologe.

Ata u nisën drejt lagjes “Kala”, zemra e vjetër e Elbasanit. Makina ndalon pranë një ndërtese prej guri, përballë banesës së objektivit. Pak minuta më vonë, dera hapet. Xhemail Lici del nga banesa dhe i drejtohet automjetit, ku fut një çantë të zezë në bagazh.

“Direkt pas kësaj, Talo ndezi makinën, zbrita unë me armë në dorë, isha me kapuç. Edhe i thashë shtrihu në tokë mos lëviz. Ai më pa kshu, edhe u drejtua drejt meje nuk u tremb fare nga arma. E pashë që po zgjaste duart të më kapi, që mos më kapte shkrepa armën. I rash dy herë në gjoks, u hutova se ne nuk kishim shku me i gjujt atij, kishim shkuar me e hedh në tokë, Këto u hutun nga krismat, u hutova edhe vetë se ai ra në tokë edhe u çu prap. S’dija ça me bë. U ul aty ai ke sedilja ku isha unë. E mbante Talo që mos dilte nga makina, unë thoja ta qis nga makina, edhe ja futa ke gjuri që mos ecte më. Aty dolën Dorjan Shkoza edhe Ardjan Çollaku, ky u çu prap, nuk e di nga e gjeti gjith atë fuqi.”

Banda merr çantën nga bagazhi i makinës së Xhemailit të plagosur ku gjendeshin një shumë lekësh. Atatentojnë të hapin derën e banesës, duke ditur që atje mund të gjenin qindra mijëra euro. Por, Xhemail Liçi, ndonëse i plagosur, nuk dorëzohet. Ai përplaset fizikisht me Dumanin. E kap për mesi, duke tentuar ta ndalojë të largohet dhe të futet në banesë. Në këtë moment ndërhyjnë Çollaku dhe Shkoza, e godasin me grushta.

“Kur u shkrep arma, plumbi ra në tavan. Nuk e pashë kur ra poshtë. Nga tavani ballkoni ra poshtë, në trupin e Dorjan Shkozës. Ai u tremb, filloi me bërtit. Nejse lëshoj ky, por u morëm me këtë pastaj. Kujtum se kishim plagos Dorjanin. Ai na thoshte na ço në spital…. ça spitali mo. Atij i kishte rënë plumbi në xhep, nuk i kishte hyrë në trup, vetëm e kishte djeg.”

“Të gjitha këto, në mjedise të caktuara ku persoant janë në kontakt me të ngjashmit e tyre, bëjnë që sjellja të jetë e qendrueshme dhe trajta e personalitetit të përfundojë e crregulluara.” U shpreh Almeida Xhaferi, psikologe

“Drejtësisë do ishte e munguar dhe autorët e këtyre veprave penale, nuk do viheshin përballë përgjegjësisë penale, në rast se nuk do ishte deklarimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.” u shpreh Ermira Tafani, pedagoge.

Pas grabitjes brutale, autorët largohen menjëherë drejt një magazine në Fushë-Mbret, në pronësi të Ardian Çollakut. Aty derdhin paratë në dysheme. Askush nuk i numëron. Sipas Dumanit, sasia ishte e konsiderueshme.

Top Channel