NASA ka bërë një zbulim të rëndësishëm në kërkimin për gjurmë jete jashtë Tokës.

Roveri Perseverance, që eksploron Marsin që nga viti 2021, ka identifikuar komponime organike dhe minerale në kraterin Jezero, të cilat në Tokë lidhen shpesh me mjedise të favorshme për jetën mikrobike.

Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, përfshin molekula karboni, vivianit dhe greigit – elementë që mund të jenë të origjinës biologjike ose gjeokimike.

Krateri Jezero u zgjodh si vendi i uljes së roverit sepse dikur ishte një pellg liqeni i ushqyer nga përrenj, një ambient i përshtatshëm për depozitimin e argjilave dhe mineraleve që ruajnë historinë klimatike dhe gjeologjike të Marsit. Që prej mbërritjes, Perseverance ka mbledhur mbi 30 mostra të ruajtura për një mision të ardhshëm kthimi në Tokë.

Zbulimi lidhet me mostra nga rajoni Bright Angel, një zonë me sedimente të kuqërremta, ku roveri në vitin 2024 mori mostrën “Sapphire Canyon” që përmban gjurmë kimike të veçanta. Perseverance analizoi përbërjen e shkëmbinjve dhe ruajti pluhurin marsian për studime të mëtejshme.

Të dhënat tregojnë praninë e molekulave organike me bazë karboni, së bashku me minerale si vivianiti dhe greigiti, të cilat në Tokë janë të lidhura me procese mikrobike në mjedise ujore. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se këto komponime mund të kenë formë edhe nga reaksione jo-biologjike.

Shkencëtarët i përshkruajnë këto gjetje si “biofishnkrita të mundshme”. Joel Hurowitz, autor kryesor i studimit, thotë: “Nuk mund të themi se kemi gjetur jetë në Mars, por është një hap i rëndësishëm që kërkon analiza të mëtejshme.” Fotografi të formacioneve mikroskopike si “fara lulekuqeje” dhe “njolla leopardi” tregojnë përqendrime karboni dhe mineralesh që lidhen me aktivitetin mikrobik.

Misioni drejtohet nga NASA në bashkëpunim me institucione nga e gjithë bota, përfshirë Institutin Kombëtar Italian për Astrofizikë (INAF), duke reflektuar rëndësinë globale të kërkimit astrobiologjik.

Qëllimi kryesor mbetet kthimi i mostrave në Tokë për studime më të thelluara, por projekti Mars Sample Return është i vonuar për shkak të kostove të larta. Zbulimi i fundit mund të përshpejtojë këtë proces, i cili pritet të realizohet në vitet 2040.

Ky zbulim konsiderohet një nga të dhënat më premtuese që konfirmojnë ekzistencën e kushteve të favorshme për jetë në Mars në të kaluarën, duke hapur rrugë për studime të mëtejshme dhe eksplorim hapësinor.

Top Channel