
Shqipëria U21 nuk ia doli të rikthehej te rezultatet pozitive, duke u mundur me rezultatin 2-1 nga Zvicra, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në transfertë.
Ky ishte takimi i dytë në shtator për “Shpresat”, të cilët e mbyllin kështu dyshen e miqësoreve me dy humbje.
Ndeshja nisi me dominim të helvetëve, që kontrolluan më shumë topin dhe kërcënuan disa herë portën e Jukajt, madje goditën edhe shtyllën në pjesën e parë. Pas një gabimi në mbrojtje nga kuqezinjtë, Zvicra arriti të shënojë golin e parë, duke marrë avantazhin.
Pjesa e dytë solli një fytyrë tjetër për Shqipërinë, me futjen në lojë të Rashicës dhe Përndrecës, të cilët shtuan ritmin dhe krijuan më shumë rrezik në zonën kundërshtare.
Barazimi do të vinte pas një skeme të mirë të ekzekutuar nga një goditje këndi, me Shehun që finalizoi saktë për 1-1.
Sfida mbeti e hapur deri në fund, me raste nga të dyja skuadrat, por fati nuk ishte me Shqipërinë. Një devijim i pafat nga portieri Jukaj, pasi topi u kthye nga shtylla, rezultoi në autogol dhe i dha Zvicrës avantazhin përfundimtar.
Kuqezinjtë e rinj u përpoqën të reagonin në minutat e fundit, por pa sukses, ndërsa Zvicra menaxhoi mirë rezultatin dhe e ruajti fitoren deri në fund.
Top Channel