
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Ukrainë, Katarina Mathernova, ka deklaruar se Rusia ka goditur qëllimisht një ndërtesë qeveritare në Kiev me raketë balistike Iskander, e cila përmbante municion thërrmues, një lloj armësh të ndaluara gjerësisht për shkak të rrezikut ndaj civilëve.
Deklarata e fortë e diplomates europiane erdhi gjatë një vizite që ajo zhvilloi në ndërtesën e kabinetit të ministrave të Ukrainës, ku ndodhi sulmi. Së bashku me diplomatë të tjerë ndërkombëtarë, ajo u njoh nga afër me dëmet.
“E pashë me sytë e mi: Putini e di saktësisht se çfarë po bën. Raketa ishte e drejtuar pikërisht në zemër të qeverisë së Ukrainës”, tha Mathernova.
Ajo theksoi se falë një defekti në shpërthimin e plotë të raketës, ndërtesa nuk u shkatërrua tërësisht.
“Na treguan mbetje të raketës dhe copëza të shumta thërrmuese të ngulitura në mure dhe dysheme. Vetëm për fat të mirë, raketa nuk shpërtheu plotësisht”, shtoi ajo.
Mathernova theksoi se sulmi është një dëshmi e qartë se Rusia po synon qëllimisht strukturat shtetërore dhe jetike të Ukrainës.
“Provat e kësaj beteje ekzistenciale janë para nesh: Putini po godet qeverinë, energjinë, popullin e Ukrainës” thekson ambasadorja e Bashkimit Europian në Ukrainë.
Sulmi i fundit ngre alarmin për një eskalim të rrezikshëm të taktikave ushtarake ruse, në një kohë kur lufta po hyn në një tjetër fazë të ashpër.
Top Channel