
Nxënësit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri shkollor 2025-2026.
Korrespondentët e Top Channel raportojnë për nisjen e shkollës këtë 8 shtator:
Ky vit i ri shkollor në Durrës nis me 1.887 nxënës të klasës së parë dhe 1,881 të klasës së dhjetë. Në total, në bankat e shkollave ulen 25,244 nxënës. Në bashki, funksionojnë 54 shkolla publike dhe 17 private. Megjithatë, problemi i dy turneve mbetet, pasi disa shkolla janë ende në rikonstruksion.
Qarku i Elbasanit e nis vitin e ri shkollor 2025-2026 me 1773 nxënës më pak se viti shkollor 2024-2025. Nga 30221 nxënës të arsimit parauniversitar në vitin 2024 këtë vit në bankat e shkollës do të ulen 28448 nxënës. 15 mijë prej të cilëve vetëm në ZVA Elbasan.
Në qarkun e Korçës, këtë vit të ri shkollor janë regjistruar 1,450 nxënës në klasën e parë dhe 1,540 nxënës në klasën e dhjetë. Në total, në përfundim të procesit të regjistrimeve sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Arsimore Rajonale numri i nxënësve në rang qarku arrin në 19,340, me një rënie prej 784 nxënësish më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, nuk është mbyllur asnjë shkollë dhe asnjë mësues nuk ka dalë nga sistemi arsimor. Përkundrazi, në Institucionet Arsimore Publike janë shtuar aktorë të rinj që mbështesin procesin mësimor dhe sigurinë e fëmijëve, si mësues ndihmës, koordinatorë, oficerë sigurie dhe mësues në dispozicion.
Në Bashkinë Dibër për vitin shkollor 2025-2026 janë regjistruar 6204 nxënës, 147 më pak se vitin e kaluar. Në klasën e 10 janë regjistruar 418 nxënës. Në klasën e parë 485 nxënës.
Në Bashkinë Mat janë regjistruar 2208 nxënës, 69 më pak se vitin e kaluar. Në klasën e 10 janë regjistruar 192 nxënës Në klasën e parë janë regjistruar 161 nxënës.
Mes emocioneve dhe entuziazmit të nxënësve e mësuesve nisi viti i ri shkollor edhe në Bulqizë për 2887 nxënësit në të gjithë rrethin.
Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bulqizë ka parur një rënie të vogël të numrit të nxënësve, si për klasat e para ashtu edhe për klasat e dhjeta. Sipas zyrës arsimore Bulqizë aktualisht në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë 234 nxënës dhe në klasat e 10-të të gjimnazit do të ulen 174 nxënës.
Në Fier, janë regjistruar në klasat e para rreth 2000 nxënës. Aktualisht, vetëm në dy shkolla në bashkinë e Fierit një pjesë e nxënësve (vetëm 1% e totalit të nxënësve) do të zhvillojnë mësim në turnin e dytë, për shkak të rritjes së numrit të nxënësve krahasuar me kapacitetin e godinës. Nxënësit e tri shkollave publike në bashkitë Lushnjë dhe Divjakë do të transferohen përkohësisht në mjedise të shkollave të afërta, kryesisht me mësim paradite, pasi godinat e tyre do të rikonstruktohen tërësisht.
Top Channel