Ofensiva e Izraelit, Netanyahu ultimatum banorëve të Gazës: Largohuni menjëherë

08/09/2025 21:27

Kryeministri izraelit, Benjamin Netnyahu, u tha banorëve të Qytetit të Gazës që të evakuohen menjëherë, teksa ushtria e tij po përshkallëzon sulmin ndaj qendrës më të madhe urbane në territorin palestinez.

Izraeli ka intensifikuar bombardimet ndaj qytetit në Rripin e Gazës në përgatitje të operacionit për të marrë kontrollin e plotë të tij, pavarësisht thirrjeve nga shtetet perëndimore dhe agjencitë e ndihmës që të mos e shtyjë përpara këtë plan.

Ndërkaq, agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 39 persona u vranë nga Izraeli, përfshirë 25 në Qytetin e Gazës të hënën, më 8 shtator.

Paralajmërimi i Netanyahut erdhi disa orë pasi ndodhi një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj civilëve në Jerusalem që nga nisja e luftës në Gazë më 2023, pasi dy sulmues palestinezë hapën zjarr në një autobus duke vrarë gjashtë persona, sipas autoriteteve izraelite.

Policia izraelite tha se dy sulmuesit u vranë nga policia dhe një civil i armatosur.

Pas sulmit, Netanyahu tha: “Të jemi të qartë, këta vrasës e forcojnë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin”.

Thirrja e Netanyahut për evakuimin e banorëve të Qytetit të Gazës po ashtu vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, la të kuptohet se një marrëveshje për Rripin e Gazës mund të arrihet së shpejti për ta siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Paraprakisht, Trumpi tha se po e paralajmëronte “për herë të fundit” Hamasin që t’i pranojë kushtet e marrëveshjes.

Trump tha se izraelitët kanë pranuar kushtet e paraqitura nga ai, duke shtuar se edhe Hamasi duhet t’i pranojë ato.

Më pas, grupi radikal palestinez deklaroi se ishte i gatshëm për negociata pas atyre që i përshkroi si “ide nga pala amerikane për arritjen e një marrëveshje armëpushimi”.

Muajin e kaluar, Hamasi u pajtua për një marrëveshje armëpushimi që përfshinte një armëpushim 60-ditor, kohë kur do të liroheshin pengjet.

Megjithatë, Izraeli kërkoi lirimin e menjëhershëm të pengjeve, çarmatosjen e grupit dhe vendosi edhe kushte të tjera.

Nga 251 pengjet e marra më 7 tetor – kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në Gazë – Izraeli thotë se 47 pengje janë ende në Gazë, përfshirë 25 që besohet se janë të vdekur.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau edhe afër 1.200 persona.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara. /rel

Top Channel