
Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit do të mbahet më 12 shtator 2025, në orën 10:00, njoftoi presidenti Bajram Begaj, që dekretoi sot seancën e parë.
Krahas shkresës, Begaj ndau edhe një mesazh për Legjislaturën e XI-të, që thekson se përkon me një moment historik për vendin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane, shkruan kreu i Shtetit.
Mesazhi i Presidentit:
Të nderuar deputetë,
Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit.
Kjo legjislaturë bashkon deputetë me përvojë dhe të rinj të zgjedhur për herë të parë. Vazhdimësia dhe përvoja e kombinuar me mendësi, ide, energji dhe frymë të re është pjesë e natyrshme e proceseve demokratike.
Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike.
Të nderuar deputetë,
Procesi ligjvënës dhe cilësia e ligjeve duhet të pasqyrojnë nevojat reale të shoqërisë sonë, sfidat e zhvillimit dhe përpjekjet për drejtësi e mundësi të barabarta. Shoqëria civile, media, bota akademike, profesionistët dhe aktorë të tjerë duhen të jenë edhe më shumë të përfshirë në këtë proces. Ata janë pjesë e së njëjtës përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces transformues dhe i rëndësishëm strategjik, që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur. Përmes punës së përditshme dhe vendimmarrjeve tuaja duhet të përmbushim çdo kriter dhe të përballemi me çdo sfidë për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian.
Me rëndësi madhore për të ardhmen evropiane të vendit është kalimi nga reforma në drejtësi, te drejtësia funksionale dhe e pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin dhe me vendosmëri luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Ndërsa jemi të angazhuar në këtë proces, Shqipëria duhet të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare në linjë me partnerët tanë strategjikë: BE, SHBA, NATO.
Shqipëria do të jetë e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon dhe kudo, faktor proaktiv paqeje, dialogu e zhvillimi pozitiv e të gjithanshëm. Me rolin tonë urëndërtues të paqes në rajon, me cilësitë tona unike të vëllazërisë fetare, ne mund të ofrojmë ekspertizë konstruktive, nisma inovative dhe shembull frymëzues.
Të nderuar deputetë,
Secili prej jush ka marrë një besim të çmuar nga qytetarët. Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim. Shqiptarët presin rezultate konkrete, përmirësim të jetës së përditshme, mirëqeverisje dhe zhvillim që sjell mirëqenie.
Mbetem gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe mbështetur çdo nismë e dialog institucional në shërbim të sfidave të përbashkëta.
Suksese deputetëve dhe legjislaturës së re të Kuvendit, me Shqipërinë në mendje e zemër!
Top Channel