
Një muaj më parë Bashkia e Peqinit inauguroi përfundimin e lotit të parë të rehabilitimit të rrugës Egnatia, një pjesë e së cilës kalon në territorin e saj.
Mirëpo sipas studiuesit Auron Tare, ndërhyrja ka cënuar autenticitetin historik të rrugës Egnatia, duke e veshur, siç thotë ai me “asfaltin e injorancës”.
Në një reagim publik kryetari i bashkisë së Peqinit Bukurosh Maçi deklaroi se askush nuk u kujtua për Peqinin në gjithë këto vite e as për rrugën Egnatia të mbuluar nga shkurret dhe indiferenca.
Ndërsa sipas specialistëve asfaltimi në të dy anët e rrugës Egnatia kishte arsye.
Një projekt i cili synonte rivitalizimin e rrugës Egnatia u nis në vitin 2015 nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Projekti mbeti i papërfunduar ndërsa bashkitë të cilat preken nga ky segment i rëndësishëm historik po përpiqen ta risjellin në jetë për të nxitur turizmin në zonat e tyre.
Në kushtet kur bashki të ndryshme sjellin projekte të ndryshme, rivitalizimi i rrugës Egantia ndoshta do të kërkonte një projekt unik që të përfshijë të gjithë gjatësinë e saj në territorin shqiptar.
Top Channel