Pjesë e grupit kriminal të Çopjave/ Vilson Pepa ekstradohet nga Republika Dominikane, trafikoi 11 ton kokainë

07/09/2025 08:47

Është ekstraduar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Republika Dominikane, Vilson Pepa, i njohur edhe me emrin Soni, i arrestuar mbrëmjen e 3 shtatorit pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Pepa është pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, grup i cili u godit nga SPAK në fillim të gushtit.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”-njofton policia.

Pepa u prangos në Santo Domingo nën masa të rrepta sigurie i prangosur në duar dhe këmbë dhe mbante veshur një helmetë dhe jelek antiplumb. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçarit iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane si dhe pesë telefona celularë të koduar dhe para në dorë.

Sipas policisë dominikane, 40-vjeçari i njohur edhe si Soni Pepa rezulton i përfshirë me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjerë në të njëjtin qytet.

Grupi kriminal ku ishte i përfshirë Pepa sipas SPAK u zbulua nëpërmjet të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Grupi ka tentuar të trafikojë në portet kryesore të BE rreth 17 ton kokainë duke kontrolluar në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës.

Top Channel