
Pas rilindjes me Hamrun Spartans, Ante Çoriç kthehet pas në kohë për të rrëfyer vitet e errëta në Romë, ku mbërriti si një talent i madh, por u largua në heshtje dhe me plagë të thella.
Në një intervistë për “Gazzetta dello sport”, ai flet për mungesën e shanseve, përjashtimin nga skuadra, dhe për përplasjet me ish-drejtorin sportiv, Tiago Pinto.
Ante, si ndodhi kalimi yt te Roma?
“Zgjodha Romën pasi fola personalisht me Monchin në Zagreb. Klubi pagoi 7 milionë euro për Dinamon dhe firmosa një kontratë pesëvjeçare. Isha shumë i lumtur. Vetëm tre vite më parë, Dinamo kishte refuzuar një ofertë prej 17 milionë eurosh nga Liverpooli, sepse kërkonin 50 milionë. Isha vetëm 18 vjeç dhe erdha në “Olimpico” me një dëshirë të çmendur për të treguar kush isha. Por gjithçka shkoi keq”, tha Çoriç.
Luajtët vetëm 51 minuta në total me Romën. Pse ndodhi kjo?
“Edhe unë ia bëj këtë pyetje vetes. Nëse do të kisha luajtur dhjetë ndeshje dhe do të më thoshin: “Ante, nuk je për këtë nivel”, atëherë do ta pranoja. Por nuk pata kurrë një shans të vërtetë. U stërvita mirë, isha pa dëmtime. Di Francesco më fliste mirë në fillim, por pastaj më la jashtë vazhdimisht. Shkova dhe e pyeta: “A është se nuk mbroj mjaftueshëm?” Ai vetëm përsëriste: “Je një lojtar i mirë.” Por nuk ndryshonte asgjë. Edhe pse e pranoj që ndoshta nuk jepja gjithmonë maksimumin në stërvitje, mendoj se e meritoja një mundësi reale”, u shpreh mesfushori kroat.
E përmende “depresionin”. Ishte vërtetë kaq e rëndë situata?
“Po, mund ta quash depresion. Ishte një periudhë e tmerrshme. Më përjashtuan nga skuadra pa më folur kurrë Mourinho dhe vetëm pas një takimi të vetëm me Tiago Pinton. Stërvitesha vetëm, hyja nga një hyrje anësore, në një fushë ku para meje vraponin fëmijë nën 10 vjeç. Ishte një ndjenjë tmerrësisht e vetmuar. Në një moment mendova edhe të largohesha nga futbolli, sidomos pas dëmtimit të fundit në gju në Kroaci”, tha ish-lojtari i Romës.
Pse jeni kaq i mllefosur ndaj Tiago Pintos?
“Fola me të vetëm një herë, në vitin 2022. Sapo kisha fituar titullin me Zurichun dhe u ktheva në Romë me entuziazëm. Isha gati për të filluar një etapë të re. Një ekip francez më donte dhe i kërkova që të gjente një zgjidhje. Ai tha se do të më shiste, por kërkonte shumë para. Që nga ajo ditë nuk fola më me të. I shkruajta për një vit, por gjithmonë kishte një justifikim. Nuk më linte të largohesha. Nuk e kuptoj ende pse. Nuk është e vërtetë që qëndrova për para. Isha i gatshëm të pranoja edhe një ulje page vetëm për të luajtur”, u shpreh lojtari i kombëtares kroate.
Si ndihesh sot, duke parë pas në kohë?
“Është e dhimbshme, por edhe pjesë e jetës. Kam vuajtur shumë si i ri që jam. Në moshën 12-vjeçare stërvitesha me Chelsean, por nuk pranova të shkoja vetëm në Londër. Në moshën 16-vjeçare dola i pari në testet me Bayern-in, por ishte shumë herët. Më pas Dinamo më mori, ku ndihesha si një nga më të mirët në botë. Arsenali, Liverpooli, Napoli i Sarrit më kërkonin. Në atë kohë ndihesha si Yamal sot, me bindjen se mund të bëja gjithçka”, tha Çoriç.
Ende beson se mund të arrish majat?
“Po, unë besoj. Jam vetëm 28 vjeç. Në kokën time, ende e shoh veten duke luajtur për Barcelonën. Gjithçka është e mundur”, përfundoi ai.
Top Channel