
Cristina Chiabotto, fituesja e Miss Italia 2004 dhe një nga figurat më të dashura të televizionit italian, ka rrëfyer jetën e saj mes suksesit, familjes dhe dashurisë për Juventusin.
Në prag të 21-vjetorit të kurorëzimit si më e bukura e Italisë, ajo ndan kujtime, zgjedhje personale dhe raportin e saj me botën e futbollit që, ndryshe nga sa shumë mund të mendojnë, nuk ka përfshirë asnjë histori dashurie me ndonjë futbollist.
“Kam njohur shumë, por s’kam frekuentuar asnjë. Nuk kam qenë kurrë e tërhequr nga ajo botë. Futbollistët zakonisht preferojnë ‘velinat’, jo Miss Italia. Unë gjithmonë kam pasur një ‘filtër’ – një mënyrë për t’u mbajtur në distancë me klas”, thotë Chiabotto me qetësi.
Por dashuria nuk mungoi, thjesht nuk erdhi nga fusha e lojës.
“Burrin tim, Marco, e njoha në tribunë të stadiumit të Juventusit. Më pas nisëm t’i dërgonim njëri-tjetrit nga një këngë çdo ditë. Tani kemi ‘playlist’-in më të bukur të jetës sonë”, tregon ajo me një buzëqeshje.
Cristina është tashmë nënë e dy vajzave, Luce dhe Sofia, dhe jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht.
“Kur shoh veten sot në pasqyrë, më pëlqej më shumë se dikur. Jam një grua e realizuar, jo më një vajzë e re që kërkon të gjejë rrugën”.
Ndryshe nga shumë personazhe të njohur, ajo zgjedh ta mbajë jetën familjare larg syve të publikut. “Në rrjetet sociale nuk i tregoj kurrë fytyrat e vajzave të mia. Disa më kritikojnë për këtë, por e bëj për t’i mbrojtur, jo për ndonjë kapriço”.
Në fund, me gjithë famën dhe suksesin, ajo e vlerëson më shumë thjeshtësinë dhe rrënjët e saj:
“Kam pasur fat, por kam dashur gjithmonë normalitetin. U ktheja shpesh në vendlindjen time, Borgaro Torinese. Aty ku ndihen gjërat e vërteta”.
Dhe për të gjithë ata që pyesin nëse lartësia i ka ndikuar në marrëdhëniet… ajo përgjigjet pa kompleks:
“Jam 184 cm, por nuk më ka penguar kurrë. Vetëm se shmang takat për të mos u dukur si Kulla e Pizës. E shoh si një arsye më shumë për të mbajtur këmbët në tokë”.
Top Channel