200 mijë euro gjobë për Kombëtaren e 20% e stadiumit bosh, Demalia: Zero tolerancë për anën e errët të tifozerisë, është koha të merren masa

07/09/2025 14:56

Në prag të ndeshjes me Letoninë më 9 shtator 2025, për eliminatoret e Kampionatit Botëror “USA–Canada–Mexico 2026”, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është ndëshkuar nga UEFA me një gjobë të majme prej 200 mijë euro dhe me detyrimin që 20% e ulëseve në “Air Albania Stadium” të mbeten bosh.

Kjo masë ndëshkuese është pasojë direkte e sjelljeve të papranueshme të një pjese të tifozërisë gjatë ndeshjes kundër Andorrës, ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje urrejtjeje nacionale ndaj Serbisë, si dhe u hodhën sende në fushë – një sjellje që UEFA e dënon rreptësisht.

Kur nacionalizmi i rremë dëmton Kombëtaren

“Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë. Vetëm në katër vitet e fundit, FSHF-ja ka paguar mbi 2 milionë euro gjoba si rezultat i sjelljeve të papërgjegjshme të një grupi të vogël, por zhurmshëm destruktiv, tifozësh që vetëquhen “kuq e zi”, por me veprimet e tyre përfaqësojnë vetëm anën e errët të tifozerisë shqiptare.

Këta individë nuk përfaqësojnë aspak shpirtin patriotik dhe përkrahës të Kombëtares. Përkundrazi, përmes thirrjeve primitive, fjalorit rrugaçëror dhe veprimeve të turpshme, ata jo vetëm që njollosin fanellën kuqezi dhe flamurin tonë kombëtar, por edhe i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë zhvillimit të futbollit shqiptar”, shkruan Demalia.

Paratë që sot përdoren për të paguar gjoba, mund e duhej të përdoreshin për:

  • Ndërtimin dhe përmirësimin e terreneve sportive,
  • Mbështetjen e ekipeve zinxhir të të rinjve,
  • Investime në trajnimet për trajnerët dhe gjyqtarët,
  • Projekte sociale për përfshirjen e komuniteteve në sport.

Fyerje personale dhe llum moral në tribunat shqiptare

Situata ka degraduar edhe më tej. Në vend që të mbështesin ekipin dhe të krijojnë atmosferë sportive dhe festive, një pjesë e tifozëve përdor tribunat për të sharë dhe fyer në mënyrë banale, shpesh me sulme personale dhe ofendime ndaj drejtuesve të FSHF-së, me një gjuhë që s’mund të përshkruhet ndryshe veçse si “llum moral”.

Këto skena ndodhin në një ambient ku ndodhen fëmijë, vajza të mitura, familje, gra dhe burra që vijnë për të përkrahur skuadrën e zemrës, jo për të dëgjuar banalitetet e turpshme të disa individëve që nuk kanë asnjë lidhje me sportin, përveçse dëshirës për kaos dhe dhunë verbale.

Koha për të ndërhyrë: Tolerancë zero

Është e qartë se kupa është mbushur. Jo vetëm që ka ardhur koha, por ajo ka kaluar prej kohësh, për të ndërmarrë masa të rrepta ndaj kësaj kategorie tifozësh. FSHF-ja, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, duhet të zbatojë të njëjtat standarde që aplikohen nga federatat serioze europiane:

  • Identifikim dhe ndëshkim individual për çdo person që shkel rregullat e sjelljes në stadium,
  • Përjashtim i përjetshëm nga stadiumet për ata që përsërisin thirrje urrejtjeje apo dhunë,
  • Gjobitje dhe ndjekje penale për fyerje publike dhe veprime që rrezikojnë rendin dhe sigurinë në ndeshje.

Për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, nuk mjafton vetëm përmbushja e kritereve politike dhe ekonomike. Duhet të tregojmë se jemi europianë edhe në sjellje, kulturë sportive dhe respekt për të tjerët, brenda dhe jashtë fushës.

Së fundmi Demalia ka një ftesë për tifozët e vërtetë.

“Ndeshja kundër Letonisë është një mundësi e re për të treguar anën më të bukur të tifozërisë shqiptare. Le të jemi zëri i përkrahjes, jo i urrejtjes. Le të tregojmë se dimë të jemi të zjarrtë, por të qytetëruar. Kombëtarja ka nevojë për energjinë tonë pozitive, jo për gjoba dhe tribuna të shndërruara në turp kombëtar.

Urojmë që Kombëtarja të arrijë një fitore të madhe, me një lojë të bukur dhe korrekte, dhe mbi të gjitha, me një ambient të denjë për futbollin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët që e duan sportin dhe vendin e tyre”, shkruan analisti.

 

Top Channel