Në Gjermani u përurua ai që po përshkruhet si “superkompjuteri më i shpejtë i Europës”.

I pagëzuar me emrin “Jupiter”, truri gjigand elektronik  do të ndihmojë, ndër të tjera, në fushat e klimës e inteligjencës artificiale. Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi atë një përparim të jashtëzakonshëm teknologjik dhe shkencor.

“Jupiteri” është superkompjuteri i parë ekzaskalor i Europës, sic shpjegon DW. Kjo do të thotë se mund të kryejë të paktën një trilion operacione aritmetike për sekondë.

Në Shtetet e Bashkuara tashmë ekzistojnë tre kompjuterë të tillë, të gjithë të operuar nga Ministria e Energjisë. Në Europë, megjithatë, një kompjuter si Jupiteri është risi.

Sipas Thomas Lippert-it, drejtor i Qendrës së Superkompjuterëve në Qendrën Kërkimore gjermane Jülich, Jupiteri është njëzet herë më i fuqishëm se çdo kompjuter tjetër në Gjermani.

Kjo fuqi masive llogaritëse është veçanërisht e dobishme kur grumbullohen sasi të mëdha të dhënash dhe zgjidhen probleme të mëdha, qoftë në fushat e mbrojtjes së klimës dhe tranzicionit të energjisë, transformimit digjital apo zhvillimit të një ekonomie rrethore të qëndrueshme.

Në këto fusha, Jupiteri do të ofrojë “një nxitje të madhe për kërkimin, për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, për simulimet dhe për analizën e të dhënave.

Sipas Lippertit, Jupiteri është superkompjuteri i parë i Evropës që është konkurrues ndërkombëtarisht në trajnimin e modeleve të IA-së, një fushë në të cilën kanë udhëhequr Shtetet e Bashkuara dhe, gjithnjë e më shumë, Kina.

Top Channel