Eliminoi Portugalinë e Ronaldos në çerekfinale, surpriza më e bukur e Botërorit të 2022 kualifikohet edhe në “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”

06/09/2025 09:08

Maroku ka siguruar zyrtarisht biletën për në Kupën e Botës 2026, duke u bërë kombëtarja e parë afrikane që arrin këtë sukses.

Surpriza e Botërorit 2022, e cila mundi në çerekfinale Portugalinë, triumfuan bindshëm me rezultatin 5-0 ndaj Nigerit, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e së premtes në stadiumin e ri Moulay Abdellah.

Skuadra marokene dominoi plotësisht takimin e vlefshëm për javën e shtatë të kualifikueseve afrikane, duke vulosur kualifikimin për në turneun që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Pas këtij rezultati, Maroku kryeson grupin me 18 pikë të plota, ndërsa pas tyre renditet Tanzania me 9 pikë. Zambia ka grumbulluar 6, Nigeri 4, dhe Kongo mban vendin e fundit me vetëm 1 pikë.

Kështu Maroku bëhet kombëtarja e 14-të që pret biletën për në “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”, së bashku me Japoninë, Zelandën e Re, Iranin, Argjentinën, Uzbekistanin, Korenë e Jugut, Jordaninë, Australinë, Brazilin, Ekuadorin, Uruguain, Kolumbinë dhe Paraguain.

Top Channel