Bilanci i dëmeve nga zjarri në Skënderbegas/ 68 banesa të djegura, 10 prej tyre totalisht, 215 bagëti të ngordhura

06/09/2025 10:22

Ekipet e punës kanë përfunduar evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri i 11 Gushtit i cili preku njësinë Skënderbegas në Gramsh.

Sipas të dhënave 68 banesa janë djegur. 10 prej tyre totalisht për të cilat kërkohet rindërtim i plotë, 16 rikonstruksion i pjesshëm, 42 banesa të tjera të dëmtuara kanë qenë shtëpi sezonale ose të pabanueshme.

Në këto statistika janë përfshirë edhe pajisjet elektroshtëpiake dhe mobiljet e banorëve të prekur.

Për shkak të zjarrit në këto fshatra ngordhën 215 bagëti të imta, 9 gjedh dhe 7 njëthundrakë.

Zjarri shkrumboi tërësisht 44.045 hektarë ullinj, 11.028 hektarë rrush, 1451 hektarë bimë medicinale, 9.5 hektarë pemë frutore dhe arrorë.

Ndërsa sa i përket pyjeve ende nuk ka një të dhënë të konfirmuar pasi sipërfaqja e prekur, kryesisht pyll me pisha do të verifikohet nëpërmjet pamjeve satelitore.

Pas evidentimit të dëmeve faza e dytë e këtij procesi përfshin përllogaritjen financiare të tyre. Bashkitë e qarkut ndërkohë kanë nisur të miratojnë fonde ndihme ndaj Gramshit, e po ashtu qeveria shqiptare.

Të shumtë janë edhe donatorët që kanë shprehur solidaritet në këtë moment të vështirë për banorët e Skënderbegasit.

Top Channel