Anglia mjaftohet me një autogol e një gol, “Tre Luanët” mundin Andorrën dhe udhëheqin të vetëm grupin e Shqipërisë

06/09/2025 19:53

Anglia ka marrë një tjetër fitore në Grupin K të Kualifikueseve të Botërorit 2026, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria.

“Tre Luanët” kanë mundur Andorrën në Birmingham me rezultatin 2-0.

Një sfidë që dukej e lehtë në letër për të besuarit e Thomas Tuchel, por që nuk shkoi ashtu në fushë.

Takimi u zhbllokua në minutën e 25’ falë një autogoli nga Garcia.

Kur mendohej se “Tre Luanët” do të shënonin më shumë, ajo që i mungoi ekipit të Tuchel ishte vetëm shënjestra.

Gjithsesi, shifrat u dyfishuan në minutën e 67’ me anë të Declan Rice, duke shmangur çdo surprizë të pakëndshme.

Kështu Anglia kryeson Grupin K me pikë të plota dhe është një hap më afër Botërorit 2026.

REZULTATI:

ANGLI 2-0 ANDORRA

Garcia (AG) 25’, Rice 67’

Top Channel