
Më pak se një minutë kohë i është dashur grupit të vrasësve të paidentifikuar për të eliminuar 34-vjeçarin Kristian Kola në Shkodër mbrëmjen e së mërkurës në zemër të qytetit.
Dy autorët, të cilët lëviznin me motor, derdhën në drejtim të të riut 8 plumba nga një armë gjysmë silenciator duke e lënë të vdekur në vend.
Nga rindërtimi i skenës së vrasjes kuptohet se qitësi ka qenë profesionist, duke mos gabuar shënjestrën dhe lëvizjet e tyre tregojnë për një studim të objektivit.
Edhe ditën e ngjarjes i riu ndoqi të njëjtin itinerar të çdo mbrëmje, duke pirë kafe në të njëjtin orar dhe të njëjtin lokal si gjithmonë.
Shpresa e grupit hetimor është varur te pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Nga vëzhgimi i tyre është zbuluar se autorët, të maskuar me skafandër, lëviznin me motor dhe pasi kryen vrasjen humbën gjurmët te stacioni i trenit në Shkodër.
Motivet që lidhen pas kësaj vrasjeje, ku duket se është investuar, janë ende të paqarta. Pista e parë ku policia orientoi hetimet ishte një konflikt që 34-vjeçari ka pasur rreth 1 vit e gjysmë më parë, ku ka kryer një plagosje, por pas verifikimeve kjo pistë u zbeh.
Edhe konfliktet e mundshme për biznes nuk janë një pistë e fortë. Hetuesit kanë kërkuar bashkëpunimin e familjarëve për të hedhur dritë mbi të shkuarën e 34-vjeçarit, ku mund të ketë buruar motivi i kësaj vrasjeje, por ata kanë zgjedhur të heshtin.
Top Channel