700 mijë grekë, turizëm në Shqipëri/ Gazeta “Kathimerini”: Riviera Shqiptare si në Halkidiki, alternativë më e lirë

06/09/2025 14:53

Dikur një vend i panjohur për fqinjët, sot po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës.

Kështu fillon artikullin e saj Gazeta greke Kathimerini e mbështetur tek dëshmitë e turistëve grekë që vizitojnë Shqipërinë.

Tashmë askush nuk e mendon vendin fqinj si një vend misterioz e të mbyllur, ku shkojnë vetëm udhëtarët e guximshëm, por si një destinacion tërheqës që ofron pushime cilësore dhe ekonomikisht të përballueshme për çdo shije.

Vetëm në vitin 2024, mbi 700 mijë turistë nga Greqia kaluan kufirin, një shifër që deri pak vite më parë dukej e paimagjinueshme.

Ata që e vizitojnë përshkruajnë për gazetën bregdetin e bukur dhe të organizuar, hotelet moderne me çmime më të ulëta se në Greqi, si dhe mikpritjen që i bën të ndihen të sigurt. Bën përshtypje për ta edhe fakti se Shqipëria është shumë miqësore për kafshët shtëpiake.

Turistët grekë që vizitojnë Shqipërinë flasin gjithashtu dhe për “ethet” ndërtimore në Tiranë dhe qytete të tjera, fakt që tregon se vendi po modernizohet me ritme të shpejta, por edhe për gjëra që i çuditën.

Riviera Shqiptare, sipas tyre, krahasohet me Halkidikinë, ndërsa plazhet e Durrësit janë të mbushura sidomos me turistë italianë, që vitet e fundit kanë zbuluar masivisht Shqipërinë.

Megjithatë, vizitorët vërejnë edhe probleme: shezlongë e çadra që kushtojnë deri në 20 euro seti, plazhe që nuk pranojnë pushues me peshqirë , si dhe kontrastin mes lagjeve të varfra që kujtojnë Greqinë e viteve ’70 dhe Tiranës moderne, ku ndërtohen qiellgërvishtës e pallate të reja.

Sipas dëshmive të tyre tek Kathimerini, Shqipëria është sot një alternativë më e lirë dhe gjithnjë e më cilësore për grekët, por edhe një konkurrente reale për turizmin në Greqi, Itali dhe vendet e tjera të Ballkanit. Dhe për shumë vizitorë, sipas tyre,  ky udhëtim shërben edhe për të shembur stereotipe të vjetra të armiqësive të paqena mes shqiptarëve dhe grekëve.

Top Channel