Miqësorja e “luksit” në Elbasan/ Kombëtarja Shpresa mundet nga Gjermania U-21 pas një sfide të luftuar, pjesë e miqve edhe dy lojtarët shqiptarë

05/09/2025 20:01

Shqipëria U-21 zhvilloi një miqësore “luksi” në “Elbasan Arena” përballë Gjermanisë U-21, me miqtë që triumfuan 0-2.

Një sfidë vërtet e luftuar, me ekipin kuqezi që tentoi disa herë të surprizonte finalistët e Europianit për të kaluar në avantazh, teksa për miqtë, në pjesën e parë u aktivizuan dhe dy futbollistët me origjinë shqiptare, Brajan Gruda dhe Nelson Weiper.

Pjesa e dytë foli për “Panzerat”, të cilët shënuan dy herë në harkun e katër minutave. Në të 48’, i sapofuturi Ansah shënoi golin e avantazhit dhe në të 52’ Pejcinovic dyfishoi shifrat.

Gjithsesi, të besuarit e Alban Bushit bënë një paraqitje të mirë në fushë. Kombëtarja Shpresa nuk do të ketë ndeshje zyrtare deri në verën e 2027-ës, pasi do të presë së bashku me Serbinë Kampionatin Europian U-21.

REZULTATI:

SHQIPËRI U21 0-2 GJERMANI U21

Ansah 48’, Pejcinovic 52’

Top Channel