
“Marmelladov”, me regjinë e Xhino Musollarit është shfaqja që mirëpret publikun këtë fillim shtatori në Teatrin Metropol.
“Marmelladov” është një fragment i shkëputur nga novela ‘Krim dhe ndëshkim’ e Fyodor Dostoevsky, përshtatur dhe dramatizuar për t’u ngjitur në skenën e teatrit.
Mjeshtëria e autorit ndërthur jetët e individëve të ndryshëm të shoqërisë së djeshme, së sotme dhe të nesërme si një profeci ideologjike dhe ndjesore.
“Ka qenë aktuale, është dhe do të jetë, sepse trajtohen çështje thelbësore, traumat e shoqërisë. Është e gjithëkohshme, kështu që besoj secili do gjejë veten te personazhet”, tha aktori Xhino Musollari.
Secili prej personazheve bart botëkuptime të cilat sjellin avancimin, e shpeshherë edhe degradimin e shoqërisë.
“Personazhi që unë luaj duhet ta japë të gjithë mesazhin që ka për të dhënë vetëm me aura, me energji”, tha aktori Jurgen Dervishi.
“Raskolnikovi është ai që ka dyshime për veten e tij, për aktualitetin dhe për atë që kërkon brenda vetes për ta arritur si qëllim”, tha Lindar Kaja.
“Nikollai do të arrijë diçka, ka ëndrra, por e ndjekin traumat e fëmijërisë”, tha Serxhjo Danga.
Shfaqja që trajton kompleksitetin e qenieve njerëzore nën trysninë e rrethanave sociale, politike dhe ideologjike fton publikun në Teatrin Metropol, nga data 5 deri në 7 shtator.
Top Channel