Kapet në Kolumbi “Kimisti”/ Pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainën në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull

05/09/2025 13:55

Njëri prej anëtarëve të grupit që përpunonte dhe transportonte drogën në Frakull të Fierit është arrestuar në Kolumbi.

Shtetasi kolumbian Samir Rosales Rodríguez njihej me pseudonimin “Kimisti”.

“Nga informacioni i siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbimit të informacionit me Policinë kolumbiane, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe koordinimit të veprimeve me zyrat kombëtare të Interpolit në Ekuador dhe Kolumbi, u bë i mundur arrestimi në Kolumbi i shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodríguez, i njohur si “Kimisti”, i dyshuar si pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull të Fierit, V. Ç.”, sipas njoftimit të policisë.

Gjykata e Apelit të Posaçëm konfirmoi në dhjetor të vitit të vitit të kaluar dënimet e dhëna nga shkalla e parë ndaj 10 personave të hetuar nga SPAK që u gjeten të implikuar si  grupi  që trafikoi përmes thasëve me pleh kimik 485 kilogramë kokainë.

Nikolin Gjolena i konsideruar si kryesori i grupit, u dënua me 11 vite e 4 muaj burg, ndaj ish kryetarit të komunës Frakull, Viktor Çervanaku gjykata dha 15 vite burgim që zbresin në dhjetë vjet dënim për shkak të gjykimit të shkurtuar.

I biri i ish-futbollist Denilson Çervanaku u dënua me 11 vite e katër muaj burg dhe familjari tjetër i tyre Zenel Çervanaku me 9 vjet e katër muaj burg.

Të gjithë të akuzuarit përfituan nga gjykimi i shkurtuar  mes tyre Enxhi Ferhati që dënuar me tetë vjet burg, Klajdi Kodra me 11.4 muaj burgim Bledar Matoshi me 8 vjet burgim, Redion Meshi 9 vjet e katër muaj burg, Marildo Rona tetë vjet burgim dhe Julian Malaj 2 vjet burgim.

Ky i fundit akuzohet për moskallëzim krimi dhe u urdhëruar lirimi i tij i menjëhershëm. Kokaina ishte dërguar nga Kolumbia dhe ndoqi linjën nga Pireu në Tivar prej nga ku u transportua në Shqipëri për t’u dërguar në banesën e Çervanakut që gjendej në një fshat të Fierit.

Hetimet e kryesuara nga prokurori i SPAK Adnan Xholi zbuluan se si për të sjellë drogën, ishte krijuar një kompani e tregtimit të plehut kimik dhe ndërkohë në Frakull banesa u përshtat si laborator prej nga ku një ekspert i huaj do të ekstradonte kokainën.

Top Channel