Ende mister motivi i vrasjes së Kristian Kolës/ Së bashku me babanë kishin një firmë ndërtimi, autorët qëlluan disa herë në drejtim të tij

05/09/2025 10:25

Detaje të reja kanë dalë në dritë për ekzekutimin me armë zjarri të Kristian Kolës rreth një orë para mesnatës së të premtes në Shkodër.

Policia ka rindërtuar dinamikën e krimit, por ende nuk ka një motiv të qartë. 34-vjeçari punonte bashkë me babanë, pasi së bashku kishin një firmë ndërtimi.

Viktima sapo kishte dalë nga hoteli kur u qëllua me armë zjarri. Pak minuta më parë, ai kishte parkuar makinën përpara lokalit dhe ishte futur brenda për të takuar një mikun e tij. Ata qëndruan vetëm pak minuta dhe, sapo dolën së bashku, 34-vjeçari u vra me armaë zjarri.

Pranë hotelit ishte ndaluar një motor i zi dhe njëri prej personave ka qëlluar disa herë drejt të riut. Sipas policisë, vrasësi mund të ketë qenë profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij.

Në momentin e ngjarjes, në zonë ka pasur shumë lëvizje dhe policia po merr në pyetje të gjithë kalimtarët dhe disa persona që ishin aty.

Gjithashtu po hetohet, pasi dyshohet se autorët kanë pasur një bashkëpunëtor i cili i ka informuar për lëvizjet e të riut.

Top Channel