“Çdo trup europian në Ukrainë do të jetë objektiv legjitim për në”, Putin: Vendi më i mirë për takim me Zelenskyn është Moska

05/09/2025 09:55

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi të martën se çdo forcë ushtarake perëndimore e vendosur në Ukrainë do të ishte një objektiv “legjitim” për ushtrinë e Moskës.

“Nëse trupat shfaqen atje, veçanërisht tani gjatë luftimeve, ne vazhdojmë me supozimin se ato do të jenë objektiva legjitime”, tha Putin në një fjalim në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin e Vladivostokut, një ditë pasi aleatët perëndimorë të Kievit u zotuan të dërgonin trupa në rast të një marrëveshjeje paqeje.

“Nuk do të ketë nevojë për vendosjen e trupave perëndimore në territorin ukrainas pasi të arrihet një marrëveshje afatgjatë paqeje. Nëse merren vendime që do të çojnë në paqe afatgjatë, atëherë thjesht nuk shoh asnjë arsye për praninë e tyre atje”, tha Putin.

Moska zgjedhja më e mirë për takimin me Zelenskyn

Putin e ka identifikuar Moskën si vendin më të mirë për një takim të mundshëm me Volodymyr Zelenskyn.

“Herën tjetër, nëse dikush dëshiron vërtet të takohet me ne, ne jemi gati. Vendi më i mirë për këtë është kryeqyteti i Federatës Ruse, qyteti hero i Moskës”, tha presidenti rus gjatë një diskutimi pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Lindor.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se Rusia është e gatshme t’u ofrojë garanci sigurie Zelenskyt dhe përfaqësuesve të Kievit nëse ata vendosin të vijnë në kryeqytetin rus, por vuri në dukje se ai vetë nuk pret asgjë thelbësore nga një takim i tillë.

Udhëheqësi rus i përshkroi gjithashtu kërkesat për të mbajtur një takim në vendet e propozuara nga Kievi si “të tepërta”.

“Ata na thonë ‘duam të takohemi me ju, por ju duhet të shkoni atje, në atë vend’. Më duket se ajo që po kërkojnë prej nesh është thjesht e tepërt”, tha presidenti rus.

“Marrëveshja” me Trumpin

Presidenti rus tha se ka një marrëveshje me presidentin e SHBA-së, Donald Trump për të komunikuar me njëri-tjetrin kur është e nevojshme.

“Ne kemi një dialog të hapur me Trump, ka një marrëveshje që, nëse është e nevojshme, mund të komunikojmë, të kontaktojmë, të flasim. Ai e di që unë jam i hapur për këto biseda. Dhe unë e di që edhe ai është”, tha ai.

“Një ari është një ari”

Gjatë diskutimit, moderatori i kujtoi Putinit një foto që kishte qarkulluar gjerësisht në mediat ndërkombëtare, në të cilën ai shihej i ulur me Xi Jinping dhe Narendra Modi. Fotografia në fjalë u përshkrua nga disa me mbishkrimin “elefant, dragua dhe ari”. “Çfarë vendi zë ariu në këtë aleancë, në fund të fundit?” pyeti moderatori.

“Ariu është një ari”, u përgjigj presidenti rus. “Ariu, sigurisht, është një simbol i Rusisë, por ne jemi në Lindjen e Largët, tigri më i madh në botë është, meqë ra fjala, tigri siberian, tigri rus”, shtoi Putin.

Në këtë kontekst, Putin theksoi se nuk ishte ai që foli për bashkëpunimin midis dragoit dhe elefantit, por Xi Jinping. Kështu i kishte përshkruar udhëheqësi kinez marrëdhëniet midis Kinës dhe Indisë, duke iu drejtuar delegacionit indian të udhëhequr nga Modi.

Top Channel