“Po shihja fytyrat e lojtarëve, ishte skandaloze”/ Ish-mbrojtësi Fakaj nuk kursen kritikat pas fitores me Gjibraltarin: Në radhë të parë respekto fanellën

04/09/2025 20:43

Shqipëria arriti një fitore me vuajtje ndaj Gjibraltarit në miqësore, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Jasir Asani në minutën e 69’.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Ervin Fakaj, ka folur për mikrofonat e “Top Albania Radio”, duke kritikuar në maksimum lojtarët, që sipas tij nuk treguan grintën e duhur në fushë.

“Nuk është me buton që sot ti shtyp butonin që nuk do luash dhe pas katër ditësh do luash. Mund të kritikojmë kë të duam sot, duke filluar nga trajneri dhe stafi e Federata. Por mendoj se përgjegjësit kryesorë për ditën e sotme janë lojtarët.

Nuk mund të futesh ti, të veshësh fanellën e ekipit kombëtar, pavarësisht vështirësive, dhe të dalësh në këtë lloj performance. Është e pajustifikueshme në çdo lloj situate. Ne luajmë me njëri-tjetrin, edhe padel, dhe kemi tjetër temperament. Po të shihje fytyrat e lojtarëve sot, ishte skandaloze.

Po sikur sot të luanim kundër një ekipi më të madh me projektorë, kundër Serbisë, kundër Anglisë, ato fytyrat prapë ashtu do ishin? Pse duhet të jetë kundërshtari sesbën prestigjioz… Ti në radhë të parë përfaqëson fanellën tënde, pastaj respekton kundërshtarin. Çdo kundërshtar merr respektin e duhur, nuk ka rëndësi nëse është Anglia, Serbia apo Gjibraltari”, tha Fakaj për Top Albania Radio dhe DigitAlb.

Top Channel