
Ekspertët që kanë përpiluar draftin e Kodit të Ri Penal bëjnë një hap pas për kriminalizimin e shpifjes, një pikë e cila nga 25 korriku shqetësoi edhe ndërkombëtarët që dhanë sinjalin se do të rrezikohet liria e shprehjes dhe e njeriut.
Në këtë klimë kritikash që kanë zgjatur, Arben Rakipi, si kreu i grupit të punës, ja la në dorë politikës të vendosë se cili do të jetë versioni më i mirë.
Duke theksuar se ashpërsimi i këtij neni nuk prek lirinë e medias, Rakipi shtoi se ekspertët vlerësuan se nuk duhet dhënë licensë për shpifjen. Nga ana tjetër, uroi që nga publikimi i draftit, ekspertët të mos e kenë lexuar si një libër verër.
Midis krahasimeve se si vepron drejtësia italiane dhe franceze për krime të rënda si vrasja, droga apo edhe prostitucioni, Rakipi shfrytëzoi jo vetëm dijet juridike për të treguar se Kodi i Ri nuk është represiv. Shembujt që solli ishin nga vjedhja, shpërndarja e drogës dhe prostitucioni.
Megjithatë, për mbi dy muaj nga publikimi për diskutim publik, grupet e interesit nuk kanë dorëzuar kundërshtimet e tyre.
“Të qartësojmë opinionin publik, drafti i është dërguar edhe disa ekspertëve italiane, në mes të shtatorit dhe deri në fund të vitit ky draft do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik, të ketë 25 tryeza të konsultimit publik duke përfshirë edhe aspekte të seanca të këtij kodi në lidhje me tematika të caktuara. Shqipëria do të ketë një kod të ri penal vetëm pas një procesi të gjerë konsultimesh publike dhe të marrë vulën në Bruksel, me mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin e Shqipërisë brenda 2030, do të jetë një kod ekuivalent siç janë kodet penale moderne të BE, këtë qëndrim e ka rikonfirmuar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar që do të kemi një kod të ri penal të dakordësuar me Brukselin”, tha Manja.
Ministri Manja theksoi se 6 direktiva që kanë të bëjnë me veprat penale që lidhen me terrorizmin, pastrimin e parave, trafikun e drogave, armët, abuzimin seksual ndaj fëmijëve apo shpifjen, do të rishikon në Kodin Penal.
Ministri theksoi se diskutimet për këto 6 direktiva do të zhvillohen ndarazi nga konsultimi publik për draftin e ri të Kodit, në kuadër të ecurisë për negociatat me Bashkimin Evropian.
“Lidhur me plotësimin e piketave të ndërmjetme në kuadrin e negociatave për grup themelorët, Shqipërisë i kërkohet që brenda Tetorit të reflektojë në Kodin Penal ekzistues rreth 6 direktiva që kanë të bëjnë me veprat penale të pastrimit të parave dhe terrorizmin, rishikimin e kuadrit ligjor me veprat e terrorizmit, rishikimin e kuadrit për trafikun e drogave për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, me abuzimi seksual të fëmijëve dhe pornografisë së fëmijëve, rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me armët, dhe me shpifjen.
Ky proces do të jetë i ndarë me procesin e konsultimit publik që do të zhvillohet për draftin e ri. Edhe pse të gjitha këto direktiva janë të reflektuara në draftin e ri, por duke qenë se në kuadrin e përmbushjes së piketave të ndërmjetme për negociatat me BE, kemi afat kohor që është fundi të tetorit, për këtë grup veprash konsultimi publik do të zhvillohet ndarasi në lidhje me konsultimin për draftin. Këto ndryshime do të reflektohen në kodin penal aktual, dhe do të jenë pjesë e draftit të ri kur të jetë në agjendë parlamentare”, tha Manja.
Për Kodin Penal puna nisi në 2019 dhe Shqipëria ka kohë deri në dhjetor 2026 që shqiptarët të kenë një Kod të Ri Penal. Gjatë kësaj kohe duhet të ndodhin shumë gjëra, jo vetëm tryeza publike dhe diskutime, por më e fundit edhe votimi në parlament.
Top Channel