Harvard fiton ‘luftën’ me Trump, gjykata i jep të drejtë universitetit: Presidenti bllokoi në mënyrë të paligjshme 2 mld $ fonde

04/09/2025 10:49

Një gjykatë federale në SHBA i dha një fitore të madhe Universitetit të Harvardit në përballjen me administratën Trump, duke urdhëruar zhbllokimin e mbi 2 miliardë dollarëve fonde kërkimore që ishin ngrirë nga Shtëpia e Bardhë.

Vendimi u dha të mërkurën nga gjykatësja e Gjykatës së Qarkut, Allison Burroughs, e cila rrëzoi argumentin e administratës së Trump se bllokimi i fondeve ishte pjesë e një lufte kundër antisemitizmit në kampusin e Harvardit.

Nga shqyrtimi i dokumenteve administrative është e vështirë të dilet në një përfundim tjetër, përveçse se antisemitizmi është përdorur si një justifikim për një sulm ideologjik të qëllimshëm ndaj universiteteve elitare të këtij vendi,” shkroi gjykatësja Burroughs, e emëruar nga ish-presidenti Barack Obama.

Sipas saj, ky veprim i administratës “rrezikon dekada kërkimesh shkencore dhe mirëqenien e njerëzve që mund të përfitojnë prej tyre, duke treguar një shpërfillje për të drejtat që mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet federale.”

Harvard fiton betejën në gjykatë, por përballja pritet të vazhdojë

Ky vendim konsiderohet një sukses i rëndësishëm për Harvardin, universiteti i vetëm që zgjodhi të përballet drejtpërdrejt me administratën Trump në gjykatë. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin.

Gjykatësja aktiviste, e emëruar nga Obama, do të vendoste gjithsesi në favor të Harvardit, pavarësisht fakteve,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, për CNN. “Çdokush që e sheh situatën me drejtësi, e kupton se Harvard ka dështuar të mbrojë studentët nga diskriminimi dhe ngacmimet për vite me radhë.”

Presidenti i Harvardit, Alan Garber, deklaroi se vendimi “konfirmon argumentet tona për mbrojtjen e lirisë akademike, kërkimit shkencor dhe parimeve themelore të arsimit të lartë amerikan.” Ai shtoi se universiteti do të vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet e mëtejshme ligjore.

Projekte të rëndësishme kërkimore të bllokuara nga vendimi i administratës

Në vendimin e saj, gjykatësja Burroughs theksoi se projektet e prekura nga ngrirja e fondeve përfshijnë kërkime të ndjeshme si zhvillimi i një modeli parashikues për mjekët e urgjencës në Departamentin e Veteranëve, për të identifikuar nëse një veteran vetëvrasës duhet të shtrohet në spital;

Kërkime për sëmundjen Lou Gehrig (ALS);

Zhvillimi i një mikroçipi për matjen e ekspozimit ndaj rrezatimit për astronautët e NASA-s;

Projekte mbi kërcënimet biologjike në zhvillim.

Sipas gjykatës, nuk ka asnjë lidhje të dukshme mes këtyre projekteve dhe antisemitizmit. Ajo theksoi se nuk ishte kryer asnjë hetim mbi përmbajtjen ose drejtuesit e këtyre projekteve dhe se ndëshkimi i tyre mund të dëmtojë pikërisht ata që administrata pretendonte se po mbronte.

Gjykatësja kritikon gjithashtu disa postime të presidentit Trump në rrjetet sociale, duke thënë se shqetësimet e tij për Harvardin nuk kishin lidhje me antisemitizmin.

Shteti synon presion përmes negociatave dhe patentave

Përmes vendimit të saj, Burroughs anuloi një “urdhër ngrirjeje” të vendosur nga administrata në prill, i cili kishte pezulluar fondet për projektet afatgjata të Harvardit dhe ndalonte dhënien e fondeve të tjera si formë ndëshkimi për shprehje të lirë apo pa ndjekur procedurat e përcaktuara në ligjin federal.

Megjithëse e theksoi se antisemitizmi duhet të luftohet, gjykatësja vuri në dukje se “kjo nuk mund të bëhet në kurriz të Amendamentit të Parë të Kushtetutës.”

Ndërkohë, bisedimet për një marrëveshje mes Harvardit dhe Shtëpisë së Bardhë kanë vazhduar gjatë verës. Në diskutim është rikthimi i fondeve dhe mbyllja e padive në shkëmbim të kushteve të reja. Një padi tjetër për të drejtën e universitetit për të pranuar studentë ndërkombëtarë ka përfunduar po ashtu në favor të Harvardit.

Megjithatë, presidenti Trump ka shprehur hapur qëndrimin e tij: “Harvard duhet të paguajë jo më pak se 500 milionë dollarë,” tha ai javën e kaluar.

Universitetet e tjera zgjedhin kompromise

Ndryshe nga Harvard, disa universitete të tjera kanë zgjedhur të negociojnë me administratën. Columbia University arriti marrëveshje në korrik për të paguar 200 milionë dollarë dhe vendosi një mbikëqyrës të pavarur për të rikthyer fondet. Brown University pranoi të paguajë 50 milionë dollarë për organizatat e zhvillimit të fuqisë punëtore në Rhode Island.

Bisedimet janë në vijim edhe me universitete të tjera si Cornell, Northwestern dhe UCLA, ku administrata po kërkon deri në 1 miliard dollarë, shumë që drejtuesit e shkollës e kanë quajtur “shkatërruese”.

Administrata Trump ka njoftuar gjithashtu se po synon të rrisë presionin ndaj Harvardit përmes patentave dhe çështjeve të pronësisë intelektuale.

Top Channel