
Ndërsa shumica e udhëheqësve perëndimorë kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” në Kinë, dy liderë nga Evropa Qendrore kanë tërhequr vëmendjen me praninë e tyre: kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Të dy nuk janë të panjohur për qëndrime që shpesh dalin jashtë vijës zyrtare të Brukselit. Kanë qenë të pranishëm edhe në paradën e ngjashme në Moskë majin e kaluar, ndërsa kanë zhvilluar takime me presidentin rus Vladimir Putin, si në Moskë ashtu edhe tani në Pekin.
Megjithatë, arsyet e tyre për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje janë të ndryshme.
Serbia e Vuçiçit, një vend që vijon të jetë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka ndërtuar ndër vite lidhje të ngushta ekonomike me Kinën. Vuçiç vijon të ndjekë një kurs neutral ndaj Rusisë, duke dënuar agresionin në Ukrainë, por pa iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Në anën tjetër, qëndrimi i Ficos shihet si më i drejtpërdrejtë dhe provokues. Edhe pse Sllovakia është anëtare e BE-së dhe e NATO-s, ai ka bërë thirrje për rivendosje të marrëdhënieve me Rusinë. Ndërkohë që Brukseli po shtyn për një ndalim total të importeve të naftës dhe gazit rus deri në fund të vitit 2027, Fico kërkon që vendi i tij ta rrisë varësinë energjetike nga Rusia — një pozicion që ka ndezur kritika brenda dhe jashtë vendit.
Ukraina, nga ana tjetër, ka reaguar ashpër ndaj kësaj linje, duke kërkuar ndërprerjen e tubacionit që furnizon Sllovakinë me gaz rus.
Presidenti rus Vladimir Putin ka vlerësuar publikisht “politikën e jashtme të pavarur” të Ficos, por partnerët e Sllovakisë në BE nuk e ndajnë të njëjtin mendim. I pyetur nëse Fico përfaqësonte Bashkimin Evropian në Pekin, një zëdhënëse e Komisionit Evropian u përgjigj shkurt: “Jo.” Ajo theksoi gjithashtu se Kina mbetet një “mundësues kyç” i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkohë, kundërshtarët politikë të Ficos në Bratislavë e akuzojnë për bashkëpunim me propagandën ruse dhe për tradhti ndaj interesave kombëtare.
Nga Pekini, vetë Fico është shprehur se po merr pjesë në një moment historik ku po “formohet një rend i ri botëror”, ndërsa shtoi se pas bisedimeve me presidentin Putin ka ardhur në disa përfundime dhe ka një “mesazh serioz” për presidentin ukrainas Zelensky, me të cilin pritet të takohet të premten.
Top Channel