Video/ Imazhe përrallore nga Vjena, tregu i parë i Krishtlindjeve në Evropë hapet për vitin 2025
Me qëndrim prej udhëheqësi dhe harmoni në çdo lëvizje me topin, Cristiano Doni shfaqte një siguri të pathyeshme në fushë.
Kur luante, dukej sikur kontrollonte gjithçka: fjalëkryqin e topit, gjeometrinë e lojës, madje edhe frymën e erës që ndryshonte fatin e çdo kërcimi të topit. Ishte një “10” i pazakontë, trup si mesfushor shkatërrues, lëvizje prej balerini, një trekuartist dhe sulmues.
Në çdo lëvizje ruante cilësinë më të lakmuar: shkathtësinë. Një karrierë 20-vjeçare nga C2 deri në Serie A, Atalanta si qendër graviteti, fanella blu e Italisë për t’i dhënë krenari kujtimeve. Pastaj një ditë ajo botë u shemb, Doni mbeti i ngatërruar në lakun e sipërfaqësisë, topi u rrokullis aty ku vendimi vjen para procesit.
Dënimi me tre vjet e gjysmë pas operacionit Last Bet mbi bastet sportive në 2011, fundi i karrierës, damka e turpit, shpallja i pafajshëm për shkak të parashkrimit në 2019 dhe jeta e re. Nga ajo kohë ka mbetur një plagë, si vija e zezë që lë uji në mure pas përmbytjes. Sot ky djalosh i vjetër 52-vjeçar ka ndërgjegjen e pastër të atij që mund të shikohet në pasqyrë duke buzëqeshur, sepse e di që pasqyrimi, kur je në paqe me veten, është gjithmonë më i sinqerti.
“Dora poshtë mjekrës, fanella e Atalantës veshur. Me të ndihem si Superman, është numri 27, zgjedhur në nder të Gilles Villeneuve, idhulli që ndiqja kur isha i vogël me babanë tim tifoz i Ferrarit. Sapo kisha shënuar, isha i lumtur me njerëzit e mi”, shprehet Doni.
Si ishte Cristiano fëmijë?
“Isha i dobët. Në moshën 16-vjeçare u rrita papritur 18 centimetra. Babai punonte drejtues në Esso, mamaja amvise, kam një motër. Simpatizoja Romën, aty linda. Më pëlqente Pruzzo sepse ishte nga Crocefieschi, vendlindja e mamasë sime, admiroja Van Basten. U rrita në Verona, më thërrisnin ‘Cricchio’, luaja në një skuadër lagjeje. Isha mjaft i mirë në basket, i dashuruar pas tenisit. Tenisi më ndihmoi pas periudhës së errët, jam kategori 3.1. Kam adhurim për Federer. E ke parasysh përsosmërinë? Pikërisht ai”, thotë legjenda e Atalantws.
Cila ishte pika e kthesës në karrierën tuaj?
“Takimi me Sergio Buso, një person i veçantë. Stërviste të rinjtë e Modenës, pa tek unë cilësi që as vetë nuk i dija. Nuk isha i predestinuar. Kisha dështuar te Primavera e Veronës dhe Bolonjës, Buso më hapi një horizont të ri”, përgjigjet Doni.
Çfarë lojtari ishte?
“Një numër 10 jo tipik, herë trekuartist, herë qendërsulmues lëvizës, herë mesfushor i majtë. Vrapoja shumë, isha i qëndrueshëm. Në Pistoia më thërrisnin Princ, në Bologna Ulivieri më pagëzoi “Anatrone”. Dhe kisha nuhatjen për gol (Doni është golashënuesi më i mirë në historinë e Atalantës me 112 gola). Isha një sulmues i fshehur, atë rol ma dha Vavassori tek Atalanta, i detyrohem shumë”, shprehet ai.
Debutimi në Kombëtare erdhi në moshën 28-vjeçare.
“Më deshi Trapattoni, në fund të 2001-shit, gjashtë muaj më vonë isha në Botërorin Kore-Japoni, titullar në dy ndeshjet e para, kundër Ekuadorit dhe Kroacisë, ishte si një ëndërr. Vija nga një sezon i jashtëzakonshëm, mbyllur me 16 gola në kampionat, por edhe nga një dëmtim. Çfarë miti, Trapattoni. Të bënte të ndiheshe kampion”, tregon me emocion Doni.
A ju mungoi një ekip i madh?
“Jo, asnjë pendim. Mund të shkoja te Juventusi, por Atalanta kërkoi shumë dhe në fund isha i lumtur, doja të rrija në Bergamo. Pastaj Roma, Spalletti më donte si zëvendësues të Tottit, më telefononte Pradé dhe më vendoste himnin e Champions: ‘Të pëlqen?’. Isha 34 vjeç dhe iu përgjigja: ‘Faleminderit, por jo, mbetem tek Atalanta'”.
Cili ka qenë shoku më i fortë i skuadrës?
“Pa dyshim Morfeo. Një fenomen, me topin fliste një gjuhë të mrekullueshme”.
Çështja e basteve, për çfarë e dënoni veten?
“Thonë që koha është zotëri, në fillim je aq i zemëruar sa nuk e beson, por më pas zbulon që është e vërtetë. Më vunë një etiketë, por nuk ishte e imja. Karabinierët në agim në shtëpi, pesë ditë burg, faqet e para të gazetave. U shemb gjithçka, u bëra kurban, sot e di çfarë do të thotë të përfundosh në makinën e baltës. Dola i traumatizuar, por ajo që nuk të vret të forcon, apo jo? Për fanellën e Atalantës dhashë gjithçka, dhe megjithatë gjithçka u kthye kundër meje. Sot në Bergamo njerëzit më duan, kjo është ajo që mbetet. U dënova për dy ndeshje: Crotone-Atalanta, ku shënova një gol spektakolar, dhe Atalanta-Piacenza, e dija që ata të Piaçenzës shisnin ndeshjet, e pranova, kaq, isha budalla”, tregon Doni.
Çfarë keni mësuar?
“U bëra një njeri më i mirë. Kam bërë shumë budallallëqe, rreziku është që në fund të të pëlqejë, por i përvesha mëngët dhe sot jam sipërmarrës. Kam një restorant dhe lokale të tjera në Majorka, u rritëm me kalimin e viteve duke u fokusuar tek cilësia. Jam shumë krenar për këtë.
Në Bergamo hapa një qendër sportive, ’27padel’, e ndërtuar nga një ish-konvikt. Padel krijon komunitet, aty vijnë shumë miq ish-futbollistë. Jam tifoz i Atalantës, ndjek gjithçka, por me distancën e duhur. Kam një vajzë 22-vjeçare dhe një djalë 12-vjeçar që luan futboll, idhulli i tij është Papu Gomez. Ai lindi kur unë nuk shihja dritë, më shpëtoi. Jo, nuk i tregoj golat e mi, do ta gjejë rrugën e vet, shpresoj vetëm që të jetë i lumtur”, përfundoi bomberi italian.
Top Channel