
Qeveria në Gjeorgji po përballet me akuza të forta për konsolidim autokratik të pushtetit, pasi Mamuka Mdinaradze, ish-kreu i shumicës parlamentare i partisë në pushtet Georgian Dream, u konfirmua të mërkurën si drejtues i Shërbimit të Sigurisë së Shtetit (SSS), një prej institucioneve më të fuqishme të vendit.
Mdinaradze, i njohur për retorikën kritike ndaj SHBA-së dhe BE-së, ka akuzuar perëndimin për “politikë shantazhi dhe kërcënimesh”, ndërsa ka mbrojtur ligje që synojnë të dobësojnë opozitën.
Ai ka propozuar edhe projektligjin për “partitë pasuese”, i cili ndalon çdo lëvizje politike që konsiderohet trashëgimtare e Partisë së Bashkimit Kombëtar (UNM), kundërshtarit historik të Georgian Dream. Mdinaradze e ka quajtur UNM-në “anti-gjeorgjiane, anti-kushtetuese dhe kriminale”.
Emërimi i tij vjen paralelisht me publikimin e një raporti alarmues nga Rule of Law Lab pranë Universitetit të Nju Jorkut dhe institut Gnomon Wise në Tbilisi, i cili përshkruan mënyrën se si partia Georgian Dream, nën ndikimin e oligarkut Bidzina Ivanishvili, ka konsoliduar kontrollin autokratik mbi institucionet e vendit.
Raporti akuzon qeverinë se ka: olitizuar sistemin e drejtësisë, duke larguar gjyqtarët e pavarur; Kapur Prokurorinë, që vepron si “instrument politik” për ndëshkimin e kritikëve dhe mbrojtjen e aleatëve; Shndërruar Shërbimin e Sigurisë dhe Ministrinë e Brendshme në struktura represive e survejimi që raportojnë drejtpërdrejt te Ivanishvili.
Protestat e vitit të kaluar në Tbilisi, ku qindra mijëra qytetarë kundërshtuan ligjin për “agjentët e huaj” dhe kufizimet anti-LGBT, treguan tensionin në rritje mes shoqërisë civile dhe pushtetit. BE ka paralajmëruar se mund të pezullojë udhëtimin pa viza për gjeorgjianët, nëse qeveria nuk tërhiqet nga ligjet me natyrë autokratike.
David Zedelashvili, bashkautor i raportit dhe jurist kushtetues në Universitetin e Gjeorgjisë, u shpreh: “Ky raport dokumenton me hollësi rënien e Gjeorgjisë në autoritarizëm, duke identifikuar shtyllat kryesore të regjimit dhe duke ofruar strategji për të ndalur përshkallëzimin e tij.”
Për momentin, emërimi i Mdinaradzes shihet si një tjetër hap i fortë i Georgian Dream drejt përqendrimit absolut të pushtetit, në një kohë kur aspiratat e vendit për anëtarësim në BE duken gjithnjë e më të largëta.
Top Channel