“Ai ka qenë mentori im”/ Flet mes lotësh vëllai i Dhimitër Anagnostit: Jam përpjekur ta nderoj kudo, nuk është e lehtë…

03/09/2025 21:40

Sot iu dha lamtumira e fundit një prej emrave më të shquar të kinematografisë shqiptare, regjisorit Dhimitër Anagnosti.

Mes lotësh dhe zërin që i dridhej, vëllai i tij, Odise Anagnosti tregon se Dhimitri ishte mentori i tij dhe mbështetja më e madhe.

Jam vëllai i vogël, ai ka qenë për mua mentori, jam përpjekur që kudo që kam qenë, ta nderoj! Jemi në një moment…kemi emocione, nuk është e lehtë të përcjellësh njeriun më të dashur.

Ka qenë edhe babai im, jo vetëm shpirtërisht por edhe fizikisht e materialisht në ndihmën. Kam vetëm dy fjalë të falënderoj bashkëfshatarët e mi që ishin prezent, ai i donte shumë, se e donte vendin shumë. Do të jemi pranë tyre gjithmonë, siç i ka qëndruar ai”-u shpreh ai mes lotësh.

Pas një jete të dedikuar artit dhe kulturës shqiptare, trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, Vuno, aty ku ai kishte lënë amanet të prehej.

Regjisori do të kujtohet si një nga themeluesit e artit filmik në Shqipëri, autor i dhjetëra filmave të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare dhe në kujtesën e shumë brezave.

Prej dekadash, krijimtaria e tij ka pasur ndikim të thellë në formësimin e identitetit artistik të vendit, duke e bërë atë një nga figurat më të respektuara në jetën kulturore shqiptare.

Top Channel