Serbia pakt me Hungarinë për naftësjellësin, Vuçiç takon Putin në Pekin: Kompanitë ruse të investojnë te ne

02/09/2025 17:15

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, se për Beogradin është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Moskën në të gjitha fushat.

Teksa për më shumë se tre vjet refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, Vuçiç theksoi veçanërisht bashkëpunimin e Beogradit me Moskën në fushën e energjisë dhe furnizimin me gaz rus.

“Shpresoj se do të kemi mundësinë jo vetëm ta ruajmë, por edhe të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është për ne një fushë shumë e rëndësishme dhe furnizimi me gaz është shumë i rëndësishëm për ne”, tha Vuçiç gjatë takimit me Putinin në Pekin të Kinës, sipas transmetuesit publik të Serbisë.

Të dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili po organizon në Pekin një paradë ushtarake për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në paradën më 3 shtator, pritet që pranë Xi të qëndrojnë Putin, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe më shumë se 24 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë ata nga Bjellorusia, Irani dhe vende të tjera.

Gjatë takimit me Putinin, Vuçiç deklaroi se falë naftësjellësit që do të ndërtojë së bashku me Hungarinë, Serbia do të mund të përmirësojë bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë.

Të gjitha kompanitë ruse janë të mirëpritura, të gjitha ato që dëshirojnë të marrin pjesë në projektet infrastrukturore në Serbi”, tha presidenti serb.

Top Channel