Tërmeti i rëndë i mori jetën të paktën 800 personave, vijojnë kërkimet intensive në zonat e prekura në Afganistan

02/09/2025 08:30

Autoritetet në provincën Kunar të Afganistanit kanë zgjeruar operacionet e shpëtimit përtej katër fshatrave fillestarë, duke synuar tani zonat më të largëta dhe të vështira për t’u arritur, njoftoi Ehsanullah Ehsan, shefi i menaxhimit të fatkeqësive në provincë.

Ehsan deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk është ende e mundur të parashikohet numri i trupave që mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Ai theksoi se prioriteti i ekipeve është të përfundojnë sa më shpejt operacionet e shpëtimit dhe të nisin menjëherë shpërndarjen e ndihmave për familjet e prekura nga fatkeqësia.

Terreni i thyer malor dhe mungesa e infrastrukturës po e pengojnë ndjeshëm aksesin në fshatrat më të izoluar. Për të përshpejtuar punën, autoritetet kanë vendosur makineri të rënda për të pastruar rrugët dhe për të mundësuar hyrjen e ekipeve të ndihmës.

Ekipet e helikopterëve po kërkojnë në fshatra të largëta në Afganistan për të mbijetuarit e një tërmeti me magnitudë 6.0 që ndodhi të dielën dhe la më shumë se 800 të vdekur, sipas agjencisë humanitare të OKB-së.

Tërmeti goditi provincën malore Kunar të dielën dhe meqë rrugët janë bllokuar nga rrënojat, operacionet e shpëtimit duhet të kryhen nga ajri.

Numri i të vdekurve mund të rritet ndjeshëm pasi shumë njerëz ende dyshohet se janë të bllokuar nën rrënoja, ndërsa zyrtarët raportojnë se fshatra të tëra janë shkatërruar.

Top Channel