
Rusia ka nisur një tjetër valë sulmesh me dronë gjatë natës, duke goditur disa rajone të Ukrainës dhe shkaktuar viktima e dëme të mëdha materiale.
Sipas autoriteteve lokale, një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në qytetin Bila Tserkva, në rajonin e Kievit, pas një shpërthimi të fuqishëm që shkaktoi zjarr të madh.
Ndërkohë, në rajonin verilindor të Sumyt, një tjetër sulm me dronë goditi zonën Zarichny, duke shkaktuar zjarr në një treg dhe duke dëmtuar të paktën katër ndërtesa banimi. Sipas kreut të Administratës Ushtarake Lokale, Serhiy Kryvosheenko, disa persona kanë mbetur të plagosur.
Në jug të vendit, në rajonin e Odesës, dronët rusë kanë shënjestruar infrastrukturën portuale në distriktin Izmail. Autoritetet raportojnë për dëme dhe zjarre të konsiderueshme.
Ukraina godet Rostovin, 320 persona të evakuuar në Rusi
Nga ana tjetër, Rusia ka njoftuar për një sulm me dronë ukrainas në qytetin Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën. Guvernatori në detyrë i rajonit, Yuri Slyusar, konfirmoi se tre persona kanë mbetur të plagosur dhe disa ndërtesa banimi janë dëmtuar.
Sipas tij, është zbuluar edhe një predhë e pashpërthyer në një apartament, duke detyruar autoritetet të evakuojnë mbi 320 banorë si masë sigurie. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 13 dronë ukrainas mbi rajon.
Top Channel