
Presidenti rus Vladimir Putin u takua sot në Pekin me kryeministrin sllovak Robert Fico, gjatë një ngjarjeje zyrtare në Kinë ku Fico mori pjesë si i vetmi udhëheqës nga Bashkimi Evropian.
Në deklaratat për mediat pas takimit, Putin deklaroi se Rusia “nuk ka qenë kurrë kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian”, duke shtuar se pretendimet për një sulm rus ndaj Evropës janë “të pabaza”.
Megjithatë, ai theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO mbetet i papranueshëm për Moskën, duke akuzuar aleancën për përpjekje për të përthithur hapësirën post-sovjetike dhe kërcënuar sigurinë e Rusisë.
Nga ana tjetër, kryeministri sllovak Robert Fico, i cili është përballur me kritika të ashpra nga vende të tjera të BE-së për pjesëmarrjen në këtë ngjarje dhe në paradën e Ditës së Fitores në Moskë në maj, tha se qëllimi i tij ishte të tregonte respekt për të gjitha viktimat e Luftës së Dytë Botërore.
Fico theksoi përkushtimin e Sllovakisë ndaj BE-së, por kritikoi disa vendime të unionit që, sipas tij, janë të pakuptueshme. Ai u shpreh gjithashtu për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë dhe kritikoi Ukrainën për dëmtimin e infrastrukturës së gazit që transporton gazin rus drejt Sllovakisë dhe Hungarisë.
Duke folur për procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, Fico tha se “çdo vend ka të drejtën për një perspektivë evropiane”, por theksoi se “Ukraina duhet të përmbushë të gjitha kushtet për anëtarësim”, duke paralajmëruar që kriteret politike nuk duhet të mbizotërojnë mbi kriteret teknike dhe të përgatitjes. Ai përsëriti qëndrimin e tij të kahershëm se Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO.
Putin përshëndeti këtë qëndrim, duke deklaruar se “Rusia e vlerëson shumë politikën e jashtme të pavarur që ju dhe qeveria juaj po ndiqni.”
Top Channel