Putin në Kinë, nënshkruhet marrëveshja për gazin! Moska dhe Pekini forcojnë aleancën strategjike kundër Perëndimit

02/09/2025 09:52

Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi të martën marrëdhëniet me Kinën si “në një nivel të lartë të paparë”, gjatë një vizite zyrtare në Pekin ku u nënshkrua marrëveshja e shumëpritur për ndërtimin e tubacionit të gazit “Fuqia e Siberisë-2”, një projekt strategjik që do të lidhë drejtpërdrejt Rusinë me Kinën përmes Mongolisë.

Pas takimit trepalësh mes Putinit, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit mongol Ukhnaagiin Khurelsukh, kompania shtetërore ruse Gazprom njoftoi se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, duke i hapur rrugë ndërtimit të një tubacioni që do të transportojë deri në 50 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia perëndimore drejt veriut të Kinës.

Ky projekt energjetik pritet të kompensojë ndjeshëm humbjet që Rusia ka pësuar në tregun europian pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore.

Gaz më lirë për Kinën dhe kontratë 30-vjeçare, Putin sfidon Perëndimin, ndërsa Xi kërkon një rend të ri global

Sipas CEO-s së Gazprom, Aleksey Miller, kontrata përfshin një marrëveshje 30-vjeçare furnizimi, ndërsa çmimi i gazit do të jetë më i ulët se ai që Rusia ka aplikuar për vendet europiane.

Takimi i liderëve u zhvillua në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, në një atmosferë të ngrohtë që reflekton aleancën gjithnjë e më të fortë mes dy fuqive, në një kohë kur Moska sfidon izolimin diplomatik dhe Pekini pozicionohet si një rival global i SHBA-së.

Putin përshëndeti lidhjet historike me Kinën që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e quajtur bashkëpunimin me Pekinin një aleancë të natyrshme në epokën e re. Nga ana e tij, Xi Jinping e cilësoi presidentin rus si një “mik të vjetër” dhe theksoi se marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë “rezistuar provës së kohës dhe rrethanave ndërkombëtare në ndryshim”.

Putin deklaroi se gjatë samitit kishte ndarë me Xi-n detaje nga bisedimet që pati muajin e kaluar në Alaska me presidentin amerikan Donald Trump, në një përpjekje të SHBA-ve për ta detyruar Rusinë të tërhiqet nga lufta në Ukrainë.

Analistët e shohin këtë vizitë të gjatë si një përpjekje të Kremlinit për të përforcuar mbështetjen ndërkombëtare, ndërsa Perëndimi shton presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Moskës.

Vizita e Putinit në Kinë pritet të kulmojë me pjesëmarrjen e tij në një paradë ushtarake masive në Pekin të mërkurën, ku pritet të jetë i pranishëm edhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, një tjetër aleat i fortë i Rusisë dhe Kinës në frontin kundër rendit perëndimor.

Kjo është vizita më e gjatë e presidentit rus në një vend të vetëm që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, një sinjal i qartë se Moska dhe Pekini po forcojnë partneritetin strategjik në një moment kyç për rishkrimin e ekuilibrave globalë.

Top Channel