Presidenti izraelit shkon në Vatikan, takim me Papa Leonin XIV mes krizës në Lindjen e Mesme dhe tensioneve me BE-në

02/09/2025 14:21

Kriza në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e saj të 697-të, me zhvillime të reja si në diplomaci ashtu edhe në terren.

Zyra e presidentit izraelit njoftoi se Isaac Herzog do të udhëtojë të enjten në Vatikan për një takim me Papa Leonin XIV. Vizita vjen në një moment tensionesh të forta diplomatike, pas vendimit të Belgjikës për të njohur shtetin palestinez në Kombet e Bashkuara.

Ky vendim u dënuar ashpër nga ministri izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i cili paralajmëroi se “vendet evropiane që i nënshtrohen naivitetit dhe manipulimeve të Hamasit do të përfundojnë duke përjetuar terror nga afër”. Ai paraqiti gjithashtu një plan për të ndaluar Flotiljen Globale Sumud, duke kërkuar që aktivistët e arrestuar të mbahen në paraburgim të zgjatur.

Ndërkohë, situata humanitare në Gaza vijon të përkeqësohet. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi raportoi se vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 13 persona nga uria dhe kequshqyerja, mes tyre edhe tre fëmijë.

Nga ana tjetër, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se gjendja në Gaza “nuk është gjenocid”, por veprimet e Izraelit në muajt e fundit janë “të pajustifikueshme”.

Tensionet janë ndezur edhe në Bregun Perëndimor, ku kolonë izraelitë sulmuan vendbanime pranë Hebronit, duke i vënë flakën tokave të kultivuara në atë zonë.

Top Channel