
Pak muaj pasi Shtetet e Bashkuara rikthyen fondet dhe asistencën teknike ndaj SPAK-ut nëpërmjet OPDATE, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, zhvilloi të martën një takim zyrtar në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Takimi u mbajt pasditen e së martës, rreth orës 16:00 me orën lokale, në një seancë me dyer të mbyllura.
Dumani u prit nga Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Vetë institucioni amerikan e konfirmoi takimin në agjendën zyrtare ditore, duke i dhënë rëndësi të veçantë.
Vizita e Dumanit në Uashington vjen në një moment vendimtar për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që pas pak javësh të hapë garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme ndërsa shumë shpejt pritet të zgjidhet edhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Vitin e kaluar Dumani u nderua me çmimin “Kampion në Luftën Kundër Korrupsionit”, dhënë nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Top Channel