Italia në prag të dy ndeshjeve ku duhen 6 pikët, Gattuso: Jam i ngarkuar me energji, s’kam asnjë frikë, llogaritë në fund

02/09/2025 07:21
Getty Images

“Scamacca ka një problem në gju por ka dashur të qëndrojë këtu. Donnarumma duhet të rregullojë disa gjëra, është agjenti i tij, po kryen vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë për Manchesterin. Tonali ka disa probleme”.

Trajneri i Kombëtares Gennaro Gattuso ka dashur të shpjegojë menjëherë situatën e grupit gjatë konferencës në Coverciano, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit Gabriele Gravina, në prag të ndeshjeve të së premtes në Bergamo kundër Estonisë dhe të hënës në Debrecen kundër Izraelit, të vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026.

Në një intervistë për Messaggero Veneto, kryetari i bashkisë së Udines, Alberto Felice De Toni, kishte propozuar shtyrjen e ndeshjes: “Nuk është e përshtatshme të luhet tani”.

“Israeli është në grupin tonë, duhet të luajmë me ta, fatkeqësisht ka një luftë në zhvillim dhe kjo dhemb – u përgjigj trajneri i Italisë – Jam njeri i paqes, shpresoj që paqja të mbretërojë në gjithë botën, dhemb zemra të shohësh civilë e fëmijë që humbin jetën; por më pas ne bëjmë një tjetër punë, presidenti Gravina po mundohet të gjejë zgjidhje që ndeshja e Udines me Izraelin të zhvillohet në mënyrë perfekte”.

“Për gjendjen time shpirtërore? Asnjë shqetësim apo frikë, jam i ngarkuar me energji, e kam thënë që në fillim: nuk kam frikë dhe ndiej përgjegjësinë sepse e kam veshur tashmë këtë fanellë, pastaj llogaritë do t’i bëjmë në fund – vazhdoi Gattuso – Çfarë do t’u kërkoj lojtarëve? Së pari nuk duhen fjalë, duhet të flitet në fushë.

Pres gatishmëri për sakrificë. Frika nuk duhet të futet tek ne, duhet të jemi skuadër, të kundërpërgjigjemi goditje pas goditjeje: kemi nevojë për një grup prej 27-28 lojtarësh, nuk na ka munguar kurrë dëshira për të luftuar dhe karakteri, këtë e thotë historia jonë dhe kjo ka qenë gjithmonë forca jonë”.

Për Chiesën thotë: “Kam folur me të, nuk ndihej 100% gati”. Ndërsa për të rinjtë e Italisë: “Fabbian i ngjan shumë Frattesit, ka fizik dhe futet mirë në lojë. Esposito është i padiskutueshëm për moshën dhe teknikën. Ne i shohim të rinjtë, edhe Leoni që ka personalitet të madh”.

Një falënderim për publikun e Bergamos që të premten pritet të jetë i shumtë. “Shpresojmë të japim një gëzim, dhe bëj një apel që të vijnë sa më shumë edhe në tetor kur do të luajmë në Udine me Izraelin, kemi nevojë për entuziazëm dhe mbështetje, nuk mund të gabojmë më”.

Top Channel