Një varr monumental është zbuluar në fshatin Strikça  të Bulqizës në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës”.

Varri i cili i përkiste periudhës romake mes shekujve të III-IV u zbulua nga një grup arkeologësh ku gjatë punimeve arkeologjike të kryera në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor në Luginën e Bulqizës të drejtuar nga Akad. Adem Bonguri dhe Msc. Erikson Nikolli, të cilët zbuluan varr in monumental unikal me përmasa të mëdha rreth 9 metra me 6 metra me dhoma funerale 2.40 i lartë.

Sipas arkeologut Erikson Nikolli tha se ky monument përveç arkitekturës të veçantë përmbante dhe të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe epigrafike, ku për herë të parë zbulohet një mbishkrim romak në zonën e Dibrës, bilingual, i cili I kushtohet individit të varrosur në këtë varr, i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim drejtuar perëndisë më të rëndësishme romake Jupiterit.

Varri edhe pse i grabitur që në periudhën e lashtësisë por dhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit, i cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur. Varri është ideuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale.

Muret e shkallares kanë qenë të dekoruara me motive gjeometrike në stuko të cilat ruhen ende. Përveç pjesës nëntokësore funerare, arkeologët kanë evdientuar struktura muresh në pjesën e sipërme të varrit, të cilat sugjerojnë që ky monument mund të ketë qenë i tipit mausoleum.

Zbulimet nuk ndalen këtu, por në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar, i cili pritet të analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij.

Materiali ndërtimor kryesisht përbëhet nga gurë të përmasave të mëdha të punuara në trajtë kornizash të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë.

Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s. Pritet që zbulimet e mëtejshme të nxjerrin të dhëna të reja të cilat do të pasurojnë hartën arkeologjike të territorit tonë.

Top Channel