Bolsonaro përballë drejtësisë: Gjyqi për grusht shteti hyn në fazën vendimtare! Rrezikon 40 vite burg

02/09/2025 10:37

Gjyqi ndaj ish-presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, i akuzuar për përpjekje për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2022, ka hyrë në fazën përfundimtare, me një vendim të mundshëm deri më 12 shtator.

Nëse shpallet fajtor, ai përballet me mbi 40 vjet burg.

Bolsonaro dhe shtatë bashkëpunëtorë të tij akuzohen për formim të një organizate kriminale të armatosur, përpjekje për përmbysjen e rendit demokratik, grusht shteti, dëmtim të pronës federale dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore. Akuzat janë ngritur mbi një seri veprimesh që datojnë që nga viti 2019 dhe kulmuan me sulmin e 8 janarit 2023 në ndërtesat qeveritare në Brasília.

Sipas hetimeve, Bolsonaro dyshohet se ka organizuar takime me komandantët e forcave të armatosura për të paraqitur një plan grushti shteti, duke kërkuar mbështetjen e tyre. Komandanti i Marinës, Almir Garnier Santos, dyshohet se ka shprehur mbështetje për këtë plan, ndonëse ai i ka mohuar akuzat. Gjithashtu, Bolsonaro akuzohet se ka inkurajuar fushata sulmuese në rrjete sociale kundër komandantëve që nuk e mbështetën atë.

Një nga të bashkëpandehurit, Mauro Cid, ish-ndihmës i Bolsonaro-s, ka nënshkruar një marrëveshje pranimi fajësie, duke ofruar prova në këmbim të lehtësimit të dënimit. Dialogët e kapur nga hetuesit dhe takimet në rezidencën presidenciale janë pjesë e dosjes që rëndon ndaj ish-presidentit.

Bolsonaro është nën arrest shtëpiak, me ndalim udhëtimi dhe etiketë elektronike, pasi autoritetet kanë frikë se mund të arratiset ose të kërkojë azil politik. Atij i është ndaluar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, për shkak të përhapjes së dezinformatave mbi sistemin zgjedhor gjatë dhe pas zgjedhjeve të 2022.

Seancat janë duke u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, të drejtuara nga gjyqtari Cristiano Zanin, me gjyqtarin Alexandre de Moraes që lexon dosjen e akuzës. Prokurori i përgjithshëm Paulo Gonet pritet të paraqesë akuzat. Çdo gjyqtar do të votojë individualisht, dhe tre nga pesë vota janë të mjaftueshme për të shpallur fajësinë.

Top Channel