
Ministria e Jashtme palestineze, që drejtohet nga Autoriteti Palestinez, i ka mirëpritur planet e qeverisë belge për ta njohur një shtet palestinez.
Të martën, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, tha se vendi i tij do ta bënte këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), më vonë gjatë shtatorit, raporton DPA.
Megjithatë, Prevot tha se vendimi do të hynte në fuqi vetëm pasi të jetë liruar pengu i fundit nga Gaza, dhe pasi të jetë çmilitarizuar Hamasi, grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian.
“Ky qëndrim parimor është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe mbrojtjen e zgjidhjes me dy shtete, dhe përfaqëson mbështetje jetike për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Ministria e Jashtme palestineze në platformën X.
“Ministria u bën thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë urgjentisht”, shkroi më tej ajo.
Njohja e shtetësisë do të “forconte përpjekjet praktike për të ndalur krimet e gjenocidit, dëbimin me forcë, urinë dhe aneksimin nga Izraeli, duke hapur një horizont të vërtetë politik për të zgjidhur konfliktin dhe për t’i dhënë fund okupimit izraelit të Shtetit të Palestinës”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme palestineze.
Izraeli po kryen një prej operacioneve më të mëdha që kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftë më 7 tetor 2023.
Izraeli thotë se shënjestron vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për viktimat civile në Gazë.
Deri më tani, si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 63.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Kjo ministri thotë se edhe më shumë se 160.000 të tjerë janë plagosur – por, në shifrat që ky institucion publikon, nuk bëhet dallimi mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve.
Hamasi, gjatë sulmit të 7 tetorit, vrau afër 1.200 persona dhe mori peng 251 të tjerë. Dyzet e tetë pengje ende janë në Gazë dhe afër 20 prej tyre besohet se ende janë gjallë, ndërkaq pjesa tjetër janë liruar gjatë armëpushimeve apo marrëveshjeve paraprake.
Teksa lufta po vazhdon, organizata më e madhe e studiuesve të gjenocidit tha më 1 shtator se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë.
Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ku u vranë 6 milionë hebrenj evropianë dhe të tjerë, i hedh poshtë akuzat. /rel
Top Channel