Antena 40 metra dhe stacione mobile! Ja si Rusia shkakton humbjen e sinjalit satelitor nga aeroplanët evropianë

02/09/2025 11:26

Një antenë gjigante 40 metra e lartë, e vendosur në Kaliningrad, pranë kufirit me BE-në, është bërë burimi kryesor i ndërhyrjeve në sinjalin GPS të avionëve dhe anijeve europiane.

Një strukturë e madhe, pothuajse anonime, është shfaqur pranë fshatit Okunevo në Kaliningrad, rajoni rus që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë. Vetëm 98 kilometra larg nga qyteti polak i Gdanskut, kjo antenë është identifikuar si një nga burimet më të mëdha të ndërhyrjeve në sistemet e navigimit satelitor që nga viti 2022,  kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, shkruan Corriere della Sera.

Triangulime, satelitë dhe tension në NATO: Propozime për “ta neutralizuar”

Zbulimi i antenës nuk ka qenë i lehtë. Ekspertët ndërkombëtarë janë detyruar të përdorin triangulime të avancuara dhe imazhe satelitore për ta lokalizuar.

Burime të larta në Bruksel (ku ndodhet selia e NATO-s), kanë zbuluar për Corriere della Sera se gjatë viteve 2023–2024, është propozuar deri në “neutralizimin” e antenës, një veprim më simbolik sesa ushtarak. Por ideja është hedhur poshtë, kryesisht për shkak të kundërshtimeve nga SHBA-të dhe frikës për përshkallëzimin e konfliktit me Rusinë.

Një rrjet i tërë stacionesh, fikse dhe të lëvizshme

Antena e Kaliningradit nuk është e vetmja. Pikë të tjera të ngjashme janë identifikuar në Baltiysk, Yantarnyy, afër Shën Petersburgut dhe në kufirin me Ukrainën. Në qershor, Estonia akuzoi Moskën për vendosjen e pajisjeve të tjera vetëm 20 kilometra larg kufirit të saj.

Sipas hetimeve, pajisjet e ndërhyrjes kontrollohen nga njësi të specializuara të luftës elektronike: Brigada e 16-të në Kursk (afër kufirit me Ukrainën) dhe Regjimenti i 218-të. Disa janë stacione të lëvizshme, të maskuara, por të dukshme për satelitët.

Linjat ajrore europiane, të goditura prej më shumë se tre vitesh

Që prej vitit 2022, dhjetëra avionë që udhëtojnë midis Europës dhe Lindjes së Mesme kanë raportuar probleme serioze me sistemet satelitore të navigimit. Në teori, Rusia përdor këto ndërhyrje për të penguar dronët ukrainas, por efektet anësore kanë prekur avionët dhe anijet civile.

Sipas Universitetit të Stanfordit, gjatë gushtit të kaluar, 90 deri në 150 avionë në ditë janë përballur me probleme teknike serioze. Ndërkohë, organizata OpsGroup tregon se një vit më parë, rreth 1.400 fluturime në ditë humbnin sinjalin GPS në hapësirat ajrore të Europës, Lindjes së Mesme dhe Rusisë.

Rritje alarmante: +220% humbje të sinjalit GPS që nga 2021

Sipas IATA-s (Shoqata Ndërkombëtare e Linjave Ajrore), numri i incidenteve me humbje të sinjalit është rritur me 220% mes viteve 2021–2024, me një mesatare prej 56.3 raste për çdo 1.000 fluturime vetëm vitin e kaluar.

Si funksionon ndërhyrja: Jamming dhe Spoofing

Ndërhyrjet ndodhin kryesisht në dy forma:

Jamming: Bllokimi i plotë i sinjalit GPS;

Spoofing: Dërgimi i të dhënave të rreme, duke mashtruar sistemin e avionit për pozicionin e tij real.

Këto ndërhyrje kanë shkaktuar devijime të fluturimeve (siç ndodhi me një avion të Ryanair në janar që u devijua nga Lituania në Poloni), anulime rrugësh ajrore (Finnair pezulloi për një muaj fluturimet për në Tartu, Estoni), dhe madje edhe mbyllje të përkohshme aeroportesh.

Në një rast, edhe avioni i Ursula von der Leyen u përball me probleme gjatë zbritjes në hapësirën ajrore të Bullgarisë.

Ekspertët paralajmërojnë: Ndërhyrjet po sofistikohen

“Ndërhyrjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ndërlikuara,” tha Jesper Rasmussen, drejtor në EASA (Agjencia Europiane për Sigurinë e Aviacionit).

Spoofing ka prekur sisteme kritike në avionë: nga menaxhimi i fluturimit, deri te sistemet anti-përplasje, radarët e motit dhe transponderët që japin të dhënat e avionit në kohë reale.

Thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare, por Rusia ka ndikim edhe në OKB

Duke parë rrezikun në rritje, kompanitë ajrore kërkojnë ndërhyrje nga ICAO (Agjencia e OKB-së për Aviacionin Civil Ndërkombëtar). Por edhe aty, Rusia ka rol të rëndësishëm, duke e bërë çdo vendim të vështirë.

Nick Careen, zëvendës-president i IATA-s, tha se “Me tensionet gjeopolitike që po rriten, është e vështirë të imagjinohet një zgjidhje afatshkurtër për këtë fenomen.”

Top Channel