
Një grup prej ish-futbollistësh të Premier League pretendojnë se kanë humbur dhjetëra milionë paund për shkak të këshilltarëve financiarë të kompanisë Kingsbridge Asset Management, duke i lënë shumë prej tyre të falimentuar, pa shtëpi dhe me borxhe të mëdha ndaj tatimeve.
Danny Murphy, ish-mesfushor i Anglisë dhe sot opinionist i Match of the Day, thotë se ka humbur rreth 5 milionë paund për shkak të “abuzimit financiar”. Në të njëjtin grup, të quajtur V11, bëjnë pjesë edhe emra të njohur si Michael Thomas, Rod Wallace, Brian Deane e të tjerë. Në total, deri në 200 futbollistë mund të jenë prekur nga skema, disa prej tyre madje kanë humbur edhe shtëpitë.
Dy drejtuesit e Kingsbridge, David McKee dhe Kevin McMenamin, mohojnë çdo shkelje, duke deklaruar se “gjithmonë kanë këshilluar në mirëbesim” dhe se humbjet erdhën si pasojë e ndryshimeve të politikave tatimore dhe krizës financiare të vitit 2008, shkruan BBC.
Nga ëndrra e Premier League te falimentimi
Rod Wallace, ish-ylli i Leeds United, u shpall i falimentuar në shkurt 2024 pasi humbi pothuajse gjithçka nga investimet e sugjeruara. “Kemi marrë njoftim për dëbim, s’kemi para në bankë. Nuk do të kemi më as një vend ku të jetojmë,” u shpreh ai.
Një tjetër viktimë, Sean Davis, ish-mesfushor i Fulham, ka tani një faturë tatimore prej 330 mijë paundësh dhe punon si bojaxhi për të mbajtur familjen. Ai pranon se depresioni dhe mendimet e errëta e kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Investime në filma dhe prona të dyshimta
Kingsbridge i shtyu lojtarët të investonin në skema të financimit të filmave dhe në prona jashtë vendit, duke u premtuar përfitime të mëdha tatimore. Por shumë nga këto prona rezultuan pa vlerë, ndërsa çmimet ishin të fryra artificialisht. Dokumente të siguruara nga BBC tregojnë se vetë drejtuesit e kompanisë kishin interesa të fshehura në disa prej këtyre projekteve.
Zhgënjimi i madh: “Na lanë pa asgjë”
“Duhej të ndiheshim të mbrojtur, por na lanë të pambrojtur,” tha ish-sulmuesi Brian Deane, i cili shënoi golin e parë në historinë e Premier League. “Na u shit gjithçka si një mundësi e sigurt, por në fund na rrënoi jetën.”
Hetimi i Policisë së Londrës u mbyll në vitin 2020 pa ngritur akuza, duke deklaruar se nuk kishte prova të mjaftueshme. Megjithatë, futbollistët e prekur përmes grupit V11 kërkojnë tashmë ndryshime ligjore që viktimat e mashtrimeve të tilla të mos paguajnë taksa për skema të cilat janë shpallur të paligjshme.
“Po të mos ishte ky grup, nuk e di ku do isha sot,” tha Murphy. “Kemi fituar trofe e para në futboll, por kjo është beteja më e vështirë e jetës sonë.”
Top Channel