
Gazetarja dhe reporterja italiane Cecilia Sala ka rrëfyer për herë të parë detaje tronditëse nga burgosja e saj në Iran, ku u mbajt për 21 ditë nën akuza të pashpjeguara dhe trajtime çnjerëzore.
Në një intervistë ekskluzive dhe në librin e saj më të fundit, “I figli dell’odio” (Fëmijët e urrejtjes), ajo tregon për përvojën traumatike, rrezikun për jetën dhe shpresën që nuk e humbi asnjëherë.
“Më lidhën sytë dhe më morën me vete. Në një moment më çuan në oborrin e burgut dhe më hoqën kapuçin: përballë meje, një vinç. ‘Ky është fati i spiunëve’, më thanë”, kujton Cecilia.
Në qelinë e saj, që nuk kishte as dyshek, as dritë natyrale e as asgjë për të lexuar, ajo përjetoi torturë të bardhë, një metodë që shkatërron mendërisht përmes izolimit total, ndriçimit të pandërprerë dhe mungesës së çdo reference kohore.
“Drita nuk fikej kurrë. Nuk kishe ndjesi dite apo nate. Nuk të lejonin as syzet apo lentet. Çdo gjë ishte e menduar për të të thyer”, rrëfen ajo.
Në qelinë ngjitur, dëgjonte një grua që përplaste kokën në derë, duke tentuar të vrasë veten nga dëshpërimi. “Ishte një krismë që përsëritej, ajo përplaste kokën në derë. E tmerrshme”.
Sala pranon se është ndaluar jo si gazetare, por si peng për pazare politike. Autoritetet iraniane kërkonin ta paraqisnin si spiune, për të mundësuar një shkëmbim të mundshëm me të burgosur iranianë jashtë vendit.
“Më kërkonin të pranoja që isha spiune. E dija që po ta bëja këtë, do përfundoja si të tjerët që kanë rrëfyer të pavërteta: vite pa fund në qelitë e vdekjes”, thotë ajo.
Megjithatë, ajo shpëtoi falë një operacioni të koordinuar nga autoritetet italiane, përfshirë shërbimet inteligjente dhe përfaqësues të lartë politikë, mes të cilëve edhe kryeministrja Giorgia Meloni. Sala thotë se nuk do ta harrojë kurrë ndihmën që mori: “Ky libër i është dedikuar atyre që më kthyen në shtëpi dhe atyre që më besuan në vendet ku kam raportuar.”
Një nga momentet më të ngrohta gjatë burgimit, për ironi, ishte kur një mace e vogël iu afrua në oborr dhe u përkëdhel rreth këmbëve të saj. Ishte, siç thotë ajo, “i vetmi kontakt i gjallë dhe i dashur për ato ditë”. Pas kthimit në Itali, ajo ka adoptuar një mace me ngjyrë të kuqe, si ajo që pa në burgun Evin.
Megjithëse për momentin nuk mund të kthehet në Iran, ajo është e bindur: “Regjimi do të bjerë. Jo nesër, por do të ndodhë. Sepse ka humbur rininë e vet. Dhe unë, një ditë, do të kthehem”.
Top Channel