Superiore/ Dinamo tregon forcën në kampionat, Blutë e Dajës e nisin me fitore bindëse kundër Vllaznisë! Tirana turpërohet nga Vora

01/09/2025 07:36

Kategoria Superiore ka mbyllur javën e dytë, me dy sfida që prodhuan spektakël dhe surpriza.

Sfida e parë ishte ajo e luajtur në Laç mes Vorës dhe Tiranës. Debutuesit e këtij sezoni në Superiore sollën një surprizë të bukur, duke triumfuar 3-1 përballë bardhebluve. Karrica shënoi dy herë në çdo pjesë, ndërsa Zuna i dha goditjen përfundimtare Tiranës, përpara se kjo e fundit të gjente golin e nderit me Eliton në minutën e 85’.

Vëmendja më e madhe ishte te supersfida e kësaj jave, ajo mes Dinamos dhe Vllaznisë. Si Ilir Daja, ashtu edhe Edi Martini e ndoqën sfidën nga tribuna për shkak të dënimeve të marra.

Gjithsesi, sfida e luajtur në Elbasan Arena u dominua nga Blutë. Në minutën e 35’, Bregu kaloi në avantazh “Nëndetësen”, ndërsa në të 59’, Guindo dyfishoi shifrat. Hekuran Berisha ishte ai që vulosi fitoren me një gol në minutën e 83’, teksa shkodranët gjetën rrjetën në fund me Balajn.

Kreu mbahet momentalisht nga Elbasani dhe Partizani me nga 4 pikë, ndërsa Dinamo i ndjek me një ndeshje më pak.

Ndërkohë, Egnatia dhe Tirana ndajnë dy vendet e fundit me nga një pikë.

REZULTATET:

VORA 3-1 TIRANA

Karrica 36’, 58’, Zuna 70’ / Eliton 85’

DINAMO 3-1 VLLAZNIA

Bregu 35’, Guindo 59’, H. Berisha 83’ / Balaj 90+4’

Top Channel